Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare regjisori i njohur shqiptar

24.05.2025

Kinematografia shqiptare ka humbur një nga emrat e saj më të shquar.

Regjisori i njohur Piro Milkani ka ndërruar jetë sot në moshën 86-vjeçare. Lajmi i trishtë u bë i ditur nga familjarë të tij.

“Iku babai, shoku dhe kolegu im”, shkroi i prekur në rrjetet sociale i biri i regjisorit, Eno Milkani, duke ndarë me publikun humbjen e njeriut të tij të dashur.

Piro Milkani konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme dhe pionierët e kinematografisë shqiptare. Ai lindi më 5 janar 1939 në Drenovë të Korçës.

Filmat e tij të paharrueshëm si “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Çifti i lumtur” dhe “Zonja nga qyteti” janë gdhendur thellë në kujtesën kolektive dhe janë bërë pjesë e pandashme e identitetit kulturor shqiptar.

Pas përfundimit të shkollës së mesme në Korçë, Milkani ndoqi studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, ku u diplomua si operator filmi. Gjatë periudhës së studimeve, ai realizoi filmin e tij të diplomës “Nenavist” (Mosmirënjohja), i cili shënoi nisjen e një karriere të suksesshme në botën e filmit. Pas kthimit në Shqipëri, Milkani filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e Re” fillimisht si operator dhe më vonë si regjisor, duke realizuar mbi 20 filma artistikë që mbeten thesar i kinemasë shqiptare.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin kinematografik shqiptar, Piro Milkani u nderua me çmime të shumta, përfshirë titullin e lartë “Artist i Popullit” në vitin 1987 dhe medaljen “Ambasador i Filmit Shqiptar” nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Arkivi Shtetëror i Filmit në Shqipëri e ka cilësuar humbjen e Piro Milkanit si një plagë të madhe për kulturën shqiptare.

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhnja, gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij, duke e cilësuar Milkanin si një aset të çmuar të kinematografisë shqiptare. “Piro Milkani do të mbetet përjetë mes nesh me filmat e shumtë që ai ka realizuar! Pusho i qetë mjeshtër”, shkroi Ministri Gonxhnja.

Humbja e Piro Milkanit lë një zbrazëti të madhe në botën e artit dhe kulturës shqiptare, por trashëgimia e tij përmes filmave do të vazhdojë të jetojë brez pas brezi.