Fillon “Prizren Classical Fest” – muzika klasike mbush qytetin me elegancë dhe emocion
Festivali i muzikës klasike “Prizren Classical Fest” ka nisur mbrëmë në qytetin e Prizrenit, duke shënuar edicionin e tij të parë. Ky qytet me traditë kulturore të pasur po mirëpret një ngjarje të veçantë artistike që sjell performanca të muzikantëve të njohur dhe një program të pasur muzikor.
Gjatë dy netëve të festivalit, tingujt e muzikës klasike po ndërthuren me atmosferën historike të Prizrenit, duke krijuar një përvojë unike për adhuruesit e artit. Aktiviteti po zhvillohet në Shtëpinë e Kulturës, ku publiku po shijon interpretimet e disa prej emrave më të njohur të muzikës klasike shqiptare.
Në skenë janë ngjitur sopranoja Zana Abazi Ramadani, muzikanti Valton Beqiri dhe kuinteti i frymës me Xhovana Markun (oboe), Meriton Ferizin (fagot), Nita Krajkun (flaut), Norik Nushin (klarinetë) dhe Adea Malën (korno).
Programi përfshin gjithashtu performancën “Guitar Duo” nga Elvis dhe Gjulian Bytyqi, si dhe kuartetin e harkut “A Quattro” me Xhudi Dodajn, Villson Gurin, Stela Bellon dhe Xhulja Dodajn. Publiku do të ketë mundësi të dëgjojë edhe Remino Sulën në violonçel, Xhoslin Zdravën në piano dhe orkestrën PriClassica, e përbërë nga muzikantë profesionistë prizrenas.
Në natën e fundit të festivalit, sonte do të interpretojë edhe kori nën drejtimin e dirigjentit Elvis Bytyqi, duke përmbyllur me solemnitet dhe emocione këtë edicion të parë të “Prizren Classical Fest”.