31.08.2019, 9:38

Artisti nga Suhareka me një mënyrë të veçantë uron ditëlindjen e Nënës Terezë

Në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje ndaj ish-misionarës së Bamirësisë, Nënë Tereza, për kontributin e dhënë për Kosovën, 28-vjeçari Rilind Morina, ka vizatuar portretin e saj.

Në përvjetorin e 109 të lindjes së humanistës Anjeza Gonxhe Bojaxhiu e njohur si “Nëna Tereza” artisti nga Suhareka, Rilind Morina ka bërë një vizatim të bukur të humanistës tonë.

Këtë vizatim, me një teknikë të rrallë, i riu nga Suhareka e ka realizuar gjatë vitit 2019.

Morina punimin e tij për nderë të ish-humanistes shqiptare, Nënës Terezë e dorëzoi më 26 gusht në katedrale si artist që e përfaqësonë kulturen e Suharekës.

Morina, i cili ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Arteve, pavarësisht vështirësive në të cilat hasi në tentimin e tij për të dalë jashtë Kosovës, ai pohon se megjithatë do të gjejë mënyrë që studimet t’i vazhdojë në Austri.

Kjo nuk është figura e vetme publike që Morina, me anë të ngjyrave, e ka falënderuar, ai ka falënderuar edhe ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, për kontributin e dhënë për Kosovën.

Ibrahim Rugova e Gjergj Kastriot-Skënderbeu, janë vetëm dy nga shumë personalitetet që ai ka zgjedhur t’i pikturojë.

Por, pasioni i tij për artin shkon përtej kësaj. Morina, dhomën e tij të gjumit e ka shndërruar në atelie, duke e bërë kështu këtë hapësirë si vend pune.

Të lumtë Rilind! Suksese të mëtutjeshme.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen,kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

LEXO EDHE:  Dhjetëra ftesa të reja nga Gjykata Speciale, ftohet një veteran nga Suhareka

Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenare që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Më 12 shtator 1928, Gonxhja kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj:

“Shkup 12. 09. 28 E dashura Teze Lis! Më 26 të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e deshiroj që Zoti t’ju nap gjithshka që ju deshron zemna. Dua t’ju fal gjanat ma të përzemërta, Gonxhja”.

Nënë Tereza tha “Me gjak, unë jam Shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit.”

Në 1982, në kulmin e Rrethimit të Beirutit, Nënë Tereza shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital ushtarak duke ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshem ndërmjet ushtrise Israelite dhe guerilëve palestinez. E shoqëruar nga punëtorët e Kryqit të Kuq, ajo udhëtoi përmes zonës së luftës deri tek spitali I shkatërruar për të zhvendosur pacientët e rinj.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.