Kosovari me shtetësi amerikane dënohet me 10 vjet burg në SHBA për lidhje me ISIS

para 47 dite

Lirim Sylejmani, 49 vjeçar nga Kosova, i cili posedon gjithashtu shtetësi amerikane, është dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata e Qarkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të përfshirjes së tij në organizatën terroriste ISIS.

Kosovari me shtetësi amerikane dënohet me 10 vjet burg në SHBA për lidhje me ISIS

Lajmi u bë publik nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së.

Sylejmani, i njohur ndryshe edhe si Abu Sulayman al-Kosovi, kishte pranuar fajësinë më 12 dhjetor 2024 për akuzën e marrjes së trajnimit ushtarak nga një organizatë e huaj e cilësuar si terroriste.

Vendimi i dënimit u shpall të hënën, më 2 qershor 2025, nga gjykatësi federal Rudolph Contreras, i cili gjithashtu urdhëroi që pas përfundimit të periudhës së burgut, Sylejmani të jetë nën mbikëqyrje të përjetshme.

Dënimi u njoftua zyrtarisht nga Prokurorja Amerikane Jeanine Ferris Pirro, drejtuesja e Divizionit të Sigurisë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Sue Bai, dhe përfaqësues të FBI-së të specializuar në fushën e kundër-terrorizmit.

“Sylejmani do të kalojë një dekadë në burg duke reflektuar mbi tradhtinë që i bëri këtij vendi. Kushdo që mendon se ISIS është zgjidhja, duhet të mendojë thellësisht. Ne do të ndjekim çdo individ që synon të dëmtojë qytetarët tanë deri në fund”, deklaroi prokurorja Pirro.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Sylejmani udhëtoi drejt Sirisë në periudhën nëntor 2015 – shkurt 2019, së bashku me familjen e tij, me qëllim që t’i bashkohej ISIS-it.

Ai mori pjesë në një trajnim ushtarak 21-ditor, ku u njoh me përdorimin e armëve si AK-47, M-16 dhe granata, dhe më pas u caktua në një batalion në Mosul të Irakut. Ai gjithashtu kishte dhënë betimin e besnikërisë ndaj liderit të atëhershëm të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi.

Në maj të vitit 2016, Sylejmani mori pjesë në betejën e Manbijit kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Gjatë këtyre përleshjeve, ai u plagos në këmbë. Më vonë, në vitin 2017, ai u transferua në një batalion tjetër dhe vazhdoi aktivitetin e tij në zonat e mbetura nën kontrollin e ISIS-it deri në fillim të vitit 2019.

Ai dhe familja e tij u kapën nga Forcat e Koalicionit më 27 shkurt 2019, ndërsa ndodheshin në Baghouz, zonë e cila shërbeu si bastioni i fundit i ISIS-it.

Pas kapjes, ai u mbajt në burgun Dashisha nga SDF-ja dhe më pas u transferua tek autoritetet amerikane më 15 shtator 2020, me qëllim që të përballej me drejtësinë.

Hetimi i këtij rasti u krye nga Task Forca e Përbashkët për Kundër-terrorizëm e FBI-së, ndërsa ndjekja penale u realizua nga prokurorë federalë të specializuar në sigurinë kombëtare.

Etiketat

Ofertat e fundit