Tragjedi në Austri, 35-vjeçari nga Kosova humb jetën nga rryma e lartë në punë
Një 35-vjeçar me origjinë nga Kosova ka ndërruar jetë tragjikisht të enjten në vendin e tij të punës në Arbing të Austrisë.
Ai ra në kontakt me një linjë të tensionit të lartë gjatë pastrimit të fasadës së një ndërtese, raportojnë mediat lokale, shkruan Gazeta Sinjali.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:00. Viktima, i cili jetonte në Linz, po kryente punën në fasadën anësore të një pallati kur ndodhi aksidenti. Kolegu i tij, një shtetas 34-vjeçar nga Iraku, dëgjoi britmën e kosovarit dhe ndërhyri menjëherë, por fatkeqësisht ishte tepër vonë.
“Me sa duket ai preku një linjë me tension të lartë gjatë punës. Ishte një moment i tmerrshëm”, deklaroi kolegu, i tronditur nga ngjarja.
Ambulanca dhe shërbimet e urgjencës u njoftuan menjëherë, por megjithëse mbërritën shpejt, nuk mundën të bënin asgjë. Ekipet mjekësore kryen reanimim (CPR), por pa sukses. Mjekët konstatuan se 35-vjeçari kishte ndërruar jetë në vendngjarje.
Autoritetet austriake kanë nisur hetimet për të përcaktuar saktësisht rrethanat e këtij aksidenti tragjik.