Tragjedi ajrore në Austri: Rrëzohet një aeroplan i vogël me katër persona në bord, të gjithë humbin jetën
Një aeroplan i vogël, i cili ishte nisur nga Oberschleissheim, afër Mynihut në Bavari, është rrëzuar të shtunën pasdite në zonën malore të Pinzgau, në Austri, duke shkaktuar vdekjen e katër personave që ndodheshin në bord.
Sipas informacioneve paraprake, aeroplani u rrëzua në një terrencë të ashpër dhe të vështirë për aksesim, pranë rrugës Gerlosstrasse B165, një rrugë rurale që lidh Oberpinzgau me Zillertal, në rajonin e Tirolit të Veriut.
Flakë, rrënoja dhe terren i paarritshëm
Shërbimet e emergjencës u përballën me vështirësi të mëdha për të arritur në vendin e ngjarjes për shkak të terrencës së thyer malore. Rrënojat e aeroplanit dhe pylli përreth ishin përfshirë nga flakët, të cilat janë shuar më vonë nga ekipet e zjarrfikësve. Deri më tani, nuk është gjetur asnjë i mbijetuar.
Një zyrtar nga brigada e zjarrfikësve të qarkut deklaroi se avioni i rrëzuar mund të ketë qenë një planer i motorizuar – një lloj avioni i vogël me motor të dobët, i destinuar për fluturime të qeta dhe shpesh sportive.
Avioni u zhduk nga radarët
Sipas autoriteteve, avioni është zhdukur papritur nga sistemet e trafikut ajror, pasi radari i tij është fikur, çka sugjeron se mund të ketë pasur një defekt të papritur ose aksident teknik. Hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të rrëzimit janë në vijim dhe autoritetet austriake po punojnë në bashkëpunim me ato gjermane për të zbuluar arsyet e tragjedisë.
Gazeta gjermane BILD, duke cituar burime nga policia, ka raportuar se të katër personat në bord kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes.