Përleshje e përgjakshme në Austri, kosovari përfundon në spital, tjetri në paraburgim

para 33 dite

Një përleshje masive me pasoja të rënda ka tronditur qendrën e qytetit të Linz-it në Austrinë e Epërme në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Përleshje e përgjakshme në Austri, kosovari përfundon në spital, tjetri në paraburgim

Rreth orës 6:20, pranë Volksgarten dhe Schillerpark në Rainerstrasse, tetë persona të rinj janë përfshirë në një konfrontim të dhunshëm që ka lënë një 28-vjeçar nga Kosova të plagosur rëndë dhe një 24-vjeçar vendas në paraburgim.

Sipas dëshmitarëve okularë, të cilët alarmuan policinë, grupi i të rinjve po godisnin egërsisht njëri-tjetrin. Me mbërritjen e forcave të rendit, personat e përfshirë u shpërndanë me shpejtësi, por policia arriti të ndalojë kosovarin e plagosur, i cili ishte i mbuluar në gjak.

Hetimet e mëpasme çuan në arrestimin e një 24-vjeçari nga Linzi, i cili dyshohet se ka sulmuar fillimisht 28-vjeçarin me thikë. Mësohet se i plagosuri nga Kosova ka mundur të shmangë sulmin fillestar dhe të marrë thikën, duke shkaktuar një prerje në gishtin e madh të sulmuesit dhe lëndime të tjera gjatë përleshjes. Policia ka konfirmuar se 24-vjeçari ishte nën ndikimin e drogës dhe alkoolit në momentin e incidentit.

Gjatë hetimeve, u arrestua gjithashtu një 22-vjeçar nga Goldwörth, i cili dyshohet se ka sulmuar gjithashtu 28-vjeçarin. Autoritetet kanë bërë të ditur se janë identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë përleshje të dhunshme.

Policia austriake po vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar identitetin e të gjithë personave të përfshirë. Sipas deklaratave të policisë, ekziston mundësia që të gjithë personat e përfshirë në përleshje të jenë pjesë e skenës së drogës lokale.

24-vjeçari i arrestuar ndodhet aktualisht në burgun e Linzit, ndërsa 28-vjeçari nga Kosova po merr trajtim mjekësor në spital për plagët e marra. Ngjarja e rëndë ka ngjallur shqetësim në komunitetin lokal dhe ka vënë në fokus problemin e dhunës dhe drogës në qytet.

Etiketat

Ofertat e fundit