Incident i rëndë në Austri: Shqiptari sulmon me thikë të dashurin e ish-partneres në Kapfenberg
Një konflikt i ashpër në mes të një shqiptari 27-vjeçar dhe të dashurit aktual të ish-partneres së tij, ka përfunduar me një sulm të dhunshëm me thikë, të premten pasdite në një apartament në Kapfenberg, rajoni i Steiermark.
Sipas autoriteteve austriake, ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, kur shërbimet emergjente u thirrën me urgjencë në apartamentin ku ndodhi incidenti. Aty ishin të pranishëm dy burra, shqiptari dhe i dashuri aktual i ish-partneres së tij. Mes tyre kishte shpërthyer një grindje e ashpër, që përfundoi në dhunë.
Në kulmin e konfliktit, i dyshuari rrëmbeu një thikë për biftek dhe e sulmoi rivalin e tij, duke i shkaktuar plagë të shumta me thikë dhe prerje në zonën e gjoksit. Fatmirësisht, viktima arriti të mbijetojë dhe nuk është në rrezik për jetën, megjithëse ka marrë plagë serioze.
Policia, e cila mbërriti shpejt në vendngjarje, arrestoi autorin, i cili pranoi menjëherë fajin. Ai u dërgua në qendrën e paraburgimit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për dëmtim të rëndë trupor me dashje.
Ende nuk është konfirmuar nëse motivi i këtij sulmi ishte hakmarrja apo xhelozia, por autoritetet janë duke hetuar të gjitha pistat për të kuptuar sfondin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Portali ynë do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet mbi këtë rast dhe të raportojë më shumë sapo të ketë informacione shtesë nga autoritetet austriake.