Austri, 28-vjeçari nga Kosova sulmohet nga 7 persona dhe përfundon i arrestuar
Një sherr i përgjakshëm mes disa personave ka tronditur qytetin e Linz-it, duke kulmuar me një sulm me thikë dhe arrestimin e një 28-vjeçari me origjinë kosovare.
Sipas dëshmitarëve okularë, përleshja ka përfshirë të paktën tetë persona dhe ka nisur si një mosmarrëveshje banale që shpejt ka dalë jashtë kontrollit.
Me të mbërritur forcat e rendit në vendin e ngjarjes, personat e përfshirë në konflikt janë shpërndarë me shpejtësi në drejtime të ndryshme. Megjithatë, falë reagimit të shpejtë të policisë, një nga të arratisurit, një 28-vjeçar kosovar nga Wels-i, është kapur në zonën e Volksgartenit. Ai ishte i mbuluar në gjak, duke treguar intensitetin e përleshjes.
Gjatë ndalimit, policia ka konstatuar se i riu ishte nën ndikimin e alkoolit dhe substancave narkotike, dhe sillej në mënyrë agresive. Hetimet paraprake kanë zbuluar se sherri ka nisur pas një debati të ashpër, ku një burrë ka sulmuar me thikë 28-vjeçarin kosovar. Fatmirësisht, ky i fundit ka mundur të shmangë goditjen e parë duke e shtyrë sulmuesin, duke i marrë thikën dhe duke u mbrojtur me grushte. Gjatë konfrontimit, ai është rrahur gjithashtu nga një 22-vjeçar nga rrethi Urfahr-Umgebung.
Në momentin e afrimit të patrullës policore, 28-vjeçari kosovar e ka hedhur thikën, e cila më pas është gjetur dhe sekuestruar nga autoritetet. Ndërkohë, personat e tjerë të përfshirë në sherr ishin larguar nga vendi i ngjarjes.
Falë kërkimeve intensive të forcave policore, disa të dyshuar të tjerë janë arrestuar në qendër të qytetit të Linz-it. Hetimet kanë zbuluar se një 24-vjeçar nga Linzi ishte personi që kishte tentuar të godiste me thikë, ndërsa 22-vjeçari i arrestuar më parë nga rrethi Urfahr-Umgebung ishte gjithashtu i përfshirë në përleshje.
Si pasojë e dhunës, 28-vjeçari kosovar ka marrë ndihmën e parë në spital për lëndimet e pësuara, përfshirë një prerje në gishtin e madh dhe lëndime të tjera në trup.
Pas konsultimit me prokurorinë publike të Linz-it, 24-vjeçari banues në Linz, i cili dyshohet si iniciatori i sulmit me thikë, është dërguar në burg. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.