Zgjedhjet Lokale të 12 Tetorit: KQZ miraton afatet dhe nis përgatitjet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e parë pas caktimit zyrtar të datës 12 tetor 2025 për mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për caktimin e afateve dhe miratoi planin e aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Sipas njoftimit të KQZ-së, periudha e fushatës zgjedhore për partitë politike dhe kandidatët e certifikuar do të zhvillohet nga 13 shtatori deri më 12 tetor.
Gjithashtu, partitë politike kanë kohë të deklarohen për formimin e koalicioneve nga data 9 qershor deri më 23 qershor. Ndërsa, afati për aplikimin e partive politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve është nga 26 qershor deri më 13 gusht.
Këto vendime shënojnë nisjen zyrtare të procesit zgjedhor, duke i hapur rrugë përgatitjeve intensive për zgjedhjet lokale të vjeshtës.