Zgjatet afati për aplikim në Provimin e Maturës Shtetërore

20.08.2026

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se është zgjatur afati për aplikim në Provimin e Maturës Shtetërore, me qëllim që të gjithë nxënësit që kanë të drejtë t’i nënshtrohen provimit të kenë mundësi të aplikojnë.

Afati i aplikimit do të jetë i hapur deri të hënën, më 24 gusht 2026, në orën 11:00, ndërsa aprovimi i aplikimeve do të bëhet po atë ditë, deri në orën 12:00.

Sipas Ministrisë, deri më tani kanë aplikuar 4,650 nxënës. Ndërkaq, bazuar në rezultatet e afatit të qershorit, vlerësohet se rreth 1,000 nxënës që kanë të drejtë t’i nënshtrohen provimit ende nuk kanë aplikuar.

Ministria ka bërë të ditur se zgjatja e afatit është bërë për të siguruar që të gjithë kandidatët potencialë të kenë mundësinë të përfshihen në procesin e aplikimit dhe të marrin pjesë në Provimin e Maturës Shtetërore.