Urim Suka kërkon zgjidhje për lagjen Zekolli në Bllacë: “Gjendja është bërë e padurueshme”

18.06.2026

Problemi i vazhdueshëm me të cilin përballen banorët e lagjes Zekolli ka rikthyer kritikat ndaj mungesës së intervenimit institucional.

Asambleisti nga radhët e LDK-së në Suharekë, Urim Suka, ka kërkuar reagim të menjëhershëm për zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke thënë se banorët prej vitesh po përballen me të njëjtën gjendje.

Suka ka adresuar kritika ndaj kryetarit të komunës, duke kërkuar që të ndërmerren hapa konkretë dhe të mos neglizhohet kërkesa e qytetarëve.“Edhe sa herë duhet të adresohet ky problem që të zgjidhet? A janë banorët e lagjes Zekolli qytetarë të kësaj komune apo jo?”, ka deklaruar Suka.

Sipas tij, kjo çështje është ngritur disa herë në Kuvendin Komunal, është diskutuar publikisht dhe është kërkuar zgjidhje edhe nga vetë banorët, por deri tani, sipas tij, nuk ka pasur veprime konkrete.“Unë nuk do të ndalem së kërkuari përgjegjësi dhe zgjidhje. Këtë ma obligon besimi që më kanë dhënë qytetarët”, ka thënë Suka.

Ai ka kërkuar që institucionet komunale të ndërhyjnë sa më shpejt, duke e cilësuar situatën në lagjen Zekolli si të papranueshme për banorët.