Sveçla: Hapësirat e uzurpuara nga strukturat paralele po kthehen në shërbim të institucioneve të Kosovës

para 30 dite

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se hapësirat publike të uzurpuara prej dekadash nga strukturat paralele të Serbisë po kthehen në shfrytëzim të komunave dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Sveçla: Hapësirat e uzurpuara nga strukturat paralele po kthehen në shërbim të institucioneve të Kosovës

Sipas Sveçlës, ky proces vjen në vazhdën e mbylljes së paralelizmave institucionale. “Në vazhdën e mbylljes së secilit paralelizëm institucional sot u kthye në pronësi të komunës së Mitrovicës së Veriut objekti i cili deri tash ishte shfrytëzuar nga strukturat paralele, përkatësisht nga e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara,” ka shkruar ai.

Ministri ka njoftuar gjithashtu se një aksion i ngjashëm është zhvilluar edhe te stacioni i pompave të ujit në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut.

“Epoka e tolerimit të zhvillimit të paralelizmave përballë institucioneve tona ka perënduar dhe nuk kthehet më. Në çdo cep të Republikës sonë ka rend e ligj dhe institucione që janë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë,” ka theksuar Sveçla.

Këto veprime vijnë si pjesë e përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për të vendosur kontrollin mbi të gjithë territorin e vendit dhe për të ndërprerë funksionimin e strukturave paralele që veprojnë në kundërshtim me ligjin e Kosovës.

Etiketat

Ofertat e fundit