Kjo përballje zgjedhore përbën një moment kyç për zhvillimin lokal dhe për rolin që banorët do të kenë në drejtimin e vendeve ku ata jetojnë.

Në këtë raund të zgjedhjeve lokale do të zgjidhen 38 kryetarë komunash dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale, duke u bërë pjesë e ciklit të rregullt zgjedhor vendas.

Për të parin e Komunës së Suharekës në garë janë gjithsej katër kandidat, Bali Muharremaj nga AAK, Ardian Shala nga LDK, Hamdi Bytyçi nga LVV dhe Dardan Berisha nga PDK.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vënë në lëvizje përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit, ndër të tjera sigurimin e buxhetit dhe infrastrukturës teknike. Për këtë qëllim, është miratuar një buxhet prej rreth 16.1 milionë eurosh për organizimin e zgjedhjeve lokale.

Gjithashtu, KQZ ka hartuar dhe miratuar versionet për fletëvotimet që do të përdoren për zgjedhjet për kryetarë dhe për kuvende komunale. Të cilat janë dërguar sot gjatë ditës së shtunë nëpër të gjitha komunat e vendit.

Rëndësia e votës – një zgjedhje që lë gjurmë

Çdo votë në 12 tetor ka peshë vendimtare, qytetarët nuk zgjedhin vetëm për momentin, por edhe për katër vitet që vijnë. Përmes zgjedhjeve lokale, ata kanë mundësi që të përcaktojnë se kush do të udhëheqë dhe përfaqësojë interesat e tyre në planin komunal, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e infrastrukturës, shërbimet publike, projekte lokale dhe transparencën në institucionet komunale.

Në komunën e Suharekës, sipas të dhënave të KQZ-së për zgjedhjet e mëparshme, 63,256 qytetarë kanë të drejtë vote.

Poashtu, në Komunën e Suharekës nga KQZ janë caktuar 35 qendra të vendvotimeve, 34 qendra për votim të rregullt dhe një për votim me kusht, shkruan SuharekaOnline.

Tutje, bëhet e ditur se në qytet janë të vendosura 3 Qendra të Votimit për votim të rregullt: SH.M.L. “Skënder Luarasi”, Rr. Skënderbeu

SH.F.M.U. “7 Marsi”, Rr. Brigada 123

SH.F.M.U. “Shkëndija”, Rr. Xhavit Sylaj

Ndërsa Qendra për Votim me Kusht është e vendosur në SH.F.M.U. “Destan Bajraktari”, Rr. Avdyl Kuçi.

Ky proces zgjedhor përfaqëson një moment kyç demokratik për Kosovën — pasi vullneti i qytetarëve lokalë do të ndikojë drejtpërdrejt në qeverisjen e komunave për vitet e ardhshme.