Serbia thotë se Kosova ka ndaluar tre pjesëtarë të MPB-së serbe dhe një ish-polic
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se autoritetet kosovare kanë ndaluar të shtunën tre pjesëtarë aktivë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) dhe një oficer të pensionuar në pikat kufitare.
Ky zhvillim vjen vetëm një javë pasi Serbia arrestoi ish-policin e Kosovës, Arbnor Spahiu.
Zyra serbe theksoi se autoritetet kosovare nuk kanë pasur “asnjë arsye ligjore” për arrestimin e tyre dhe e cilësoi këtë veprim si “hakmarrje të nxitur politikisht kundër popullit serb”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në të njëjtën ditë, ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se ka privuar nga shtetësia një shtetas të Kosovës nga komuniteti serb, Nikolla Vujoviq – pjesëtar i policisë serbe – për “cenim të sigurisë kombëtare” të vendit. Sveçla nuk dha detaje nëse Vujoviq është arrestuar.