Kosovarët po vazhdojnë ta marrin drejtësinë në duar, duke u munduar që problemet familjare t’i zgjidhin në formë primitive.

Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, 311 raste janë raportuar në polici si dhunë në familje. Nga rastet e raportuara, 246 kanë qenë të gjinisë femërore e 76 të gjinisë mashkullore.

Dy muaj kishte pritur ta raportonte dhunën në familje. Edhe kur gruaja nga Prishtina shkoi në polici dhe tregoi se e kishte rrahur burri, organet e hetuesisë s’e arrestuan dhunuesin.

Në statistikat që Gazeta Express ka siguruar nga Policia e Kosovës, thuhet se vetëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2020, nga 311 raste të dhunës në familje të raportuara, rezulton se 246 viktima kanë qenë gra dhe 76 burra.

“Në janar 2020, janë evidentuar 160 ‘Dhunë në familje’ , viktimë të rasteve kanë qenë 122 femra dhe 41 meshkuj, dyshohet për një rast vrasje (rasti i Prizrenit, me dy viktima)”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Viktima të dhunës në familje gjatë muajit janar, kanë qenë më së shumti personat e moshës 20-30 vjeçare.

“Viktima të ‘Dhunës në familje’, nën moshën 18-vjeçare kanë qenë dy femra dhe dy meshkuj. Kurse grup-mosha me viktima më të shumta për këtë periudhë është: 20-30 vjeçare me 39 viktima dhe 30-40 vjeçare janë 37 viktima”, thekson policia.

Ndërkohë, nga rastet e raportuara në polici del se rajoni me numër më të madh të rasteve është Prishtina me 54 raste, pasuar nga Ferizaj me 23 raste.

E gjatë muajit shkurt, në vend janë raportuar 151 raste të dhunës në familje. 124 viktima kanë qenë të gjinisë femërore, e 35 të gjinisë mashkullore.

“Në shkurt 2020, janë evidentuar 151 ‘Dhunë në familje’ , viktimë të rasteve kanë qenë 124 femra dhe 35 meshkuj, dyshohet për një rast vrasje (rasti i Gjilanit, me 4+1 viktimë). Viktima të ‘Dhunës në familje’, nën moshën 18 vjeçare kanë qenë katër femra dhe pesë meshkuj. Kurse grup-mosha me viktima më të shumta për këtë periudhë është: 20-30 vjeçare me 46 viktima dhe 30-40 vjeçar janë 35 viktima. Rajoni me numër më të madh të rasteve është Prishtina me 48 raste, pasuar nga Ferizaj me 24 raste”, theksohet në përgjigjen e policisë./GazetaExpress/