Nëse Kuvendi nuk konstituohet sonte, Kosova mund të hyjë në krizë të thellë institucionale

07.08.2026

Kuvendi i Kosovës ka mbetur i pakonstituuar në ditën e fundit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa deri në mesnatë deputetët duhet ta përmbyllin seancën konstituive.

Mosrespektimi i këtij afati konsiderohet shkelje kushtetuese nga njohësit e çështjeve juridike, por interpretimet për atë se çfarë duhet të ndodhë pas mesnatës ndryshojnë.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se afati i 7 gushtit është absolut dhe nuk mund të tejkalohet. Sipas tij, nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në mesnatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk do të ketë më bazë kushtetuese për ta thirrur vazhdimin e saj.

Cakolli paralajmëron se pasojat mund të prekin edhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, duke argumentuar se pas betimit si deputetë, ministrat dhe zëvendësministrat nuk mund të vazhdojnë njëkohësisht ushtrimin e funksioneve ekzekutive.

Ai e sheh si rrugë të mundshme juridike dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa në aspektin politik vlerëson se zgjedhjet e reja mund të bëhen të pashmangshme.

Në anën tjetër, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi pajtohet se mosrespektimi i afatit përbën shkelje kushtetuese, por thotë se mungesa e një sanksioni konkret në Kushtetutë lë të hapur mundësinë që seanca konstituive të thirret edhe pas 7 gushtit.

Sipas Jakajt, kryesuesi i seancës duhet ta vazhdojë përpjekjen për konstituimin e Kuvendit edhe nëse afati kalon, pasi nuk ekziston një pasojë juridike automatike që do ta ndërpriste procesin.

Megjithatë, ai paralajmëron pasoja edhe më serioze nëse ngërçi institucional vazhdon. Në veçanti, Jakaj e lidh krizën me afatin gjashtëmujor të ushtruesit të detyrës së Presidentit.

Albulena Haxhiu është ushtruese e detyrës së Presidentes që nga prilli i vitit 2026, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit. Nëse deri në përfundimin e këtij afati nuk zgjidhen institucionet e reja, sipas Jakajt, Kosova mund të përballet me një situatë ku nuk do të ketë autoritet të qartë për shpalljen e zgjedhjeve apo dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë.

Edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka bërë thirrje që Kuvendi të konstituohet brenda afatit kushtetues, duke vlerësuar se interesat partiake nuk duhet të tejkalojnë interesin publik.

Ndërkohë, partitë politike vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një marrëveshjeje që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së Presidentit.

Nëse marrëveshja nuk arrihet deri në mesnatë, Kosova rrezikon të hyjë në një fazë të re të krizës institucionale, me pasoja të paparashikueshme për funksionimin e institucioneve të vendit.