MPJD-ja i bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin nëpër Serbi pas ndalimeve arbitrare

11.06.2025

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me intensifikimin e rasteve të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë.

Në këto rrethana, MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë ata që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që të shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë. Ata inkurajohen të përdorin pika të tjera kufitare për kalimin e tyre.

Rasti i fundit i ndalimit të ish-punonjësit të Policisë së Kosovës, z. Arbnor Spahiu, në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, është një dëshmi e mëtejshme e praktikave të papranueshme dhe destruktive të Serbisë. Këto veprime bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet bazë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

MPJD-ja po e ndjek nga afër situatën dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të adresimit të këtyre shkeljeve sistematike dhe garantimit të të drejtave dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.