Mbi 19 mijë maturantë i nënshtrohen nesër Testit të Maturës Shtetërore
Nesër do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore 2026, afati i parë, ku pritet të marrin pjesë 19,514 maturantë në 152 qendra të testimit në të gjithë Kosovën.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, procesi do të administrohet nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve. Testi do të nisë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30.
Maturantët janë të obliguar të paraqiten në qendrat e testimit më së largu deri në orën 09:00, në mënyrë që të kryhen procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat përkatëse.
Testi do të zhvillohet brenda një dite dhe do të përmbajë 100 pyetje nga katër lëndë: gjuha amtare, gjuha angleze, matematika dhe një lëndë zgjedhore e përzgjedhur nga kandidati.Ministria ka rikujtuar se posedimi i telefonave mobilë apo pajisjeve të tjera elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar. Çdo kandidat që kapet me pajisje të tilla do të përjashtohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse i ka përdorur apo jo.
Qendra për Vlerësim ka bërë të ditur se janë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit, ndërsa administruesit dhe komisionet janë trajnuar sipas procedurave të përcaktuara.Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka uruar suksese të gjithë maturantëve në këtë proces të rëndësishëm të vlerësimit.
