Kriza në LDK, Abdixhiku reagon pas kërkesave për dorëheqje

25.06.2026

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për përplasjet e fundit brenda partisë, pas kërkesave për dorëheqjen e tij nga disa figura të LDK-së.

Në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Abdixhiku tha se do të veprojë me kujdes për të ruajtur LDK-në, por paralajmëroi se do të flasë hapur për zhvillimet e fundit.

Ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, janë zhvilluar reagimet brenda partisë, duke i cilësuar ato si të pazakonta për traditën e LDK-së.

Duke komentuar deklaratat e Imri Ahmetit dhe Gazmend Muhaxherit, Abdixhiku tha se ka qenë mbështetës i tyre edhe në momente të vështira dhe se ka marrë përgjegjësi politike për t’i mbrojtur.

“Kam hyrë në zjarr për ta, i kam ruajtur kur kanë bërë gafa më të mëdha. Kam bërë marrëveshje politike për ta dhe kam punuar për të ruajtur partinë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai shtoi se nuk ka qëllim të sulmojë askënd, por sipas tij, mënyra e përballjes me problemet brenda LDK-së duhet të bëhet përmes komunikimit të drejtpërdrejtë dhe jo përmes deklaratave publike.

Përplasjet e fundit kanë hapur debat të ri brenda LDK-së lidhur me drejtimin e partisë dhe të ardhmen politike të saj.