KQZ vazhdon me vlerësimin e fletëvotimeve nga jashtë Kosovës, 529 pako të refuzuara

para 33 dite

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke vazhduar me procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës.

KQZ vazhdon me vlerësimin e fletëvotimeve nga jashtë Kosovës, 529 pako të refuzuara

Deri më tani, janë vlerësuar 8,776 pako, nga të cilat 8,247 janë aprovuar dhe 529 janë refuzuar.

Arsyet e refuzimit janë të ndryshme, duke filluar nga mungesa e ndonjë dokumenti të kërkuar, deri te dërgimi i pakove më shumë se një herë.

Nga të dhënat e publikuara nga KQZ, 359 zarfe janë refuzuar gjatë regjistrimit, 34 të tjera janë refuzuar për shkak të më shumë se një fletëvotimi brenda zarfit, 5 zarfe janë anuluar në mungesë të vulës, 16 për shkak të mospërputhjes së shtetit të dërgimit me shtetin e regjistrimit, 50 zarfe janë anuluar pasi kishin vetëm dëftesa pa fletëvotim dhe 29 zarfe për shkak të dërgimit të zarfit më shumë se një herë.

KQZ ka pranuar gjithsej 68,712 pako me fletëvotime përmes postës, ndërsa numri i votuesve të regjistruar për këtë lloj votimi ishte 84,600.

“Në përfundim të vlerësimit të këtyre pakove, do të dihet saktë se sa është numri i pakove me fletëvotime të cilat do t’i nënshtrohen numërimit. Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshin verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Etiketat

Ofertat e fundit