Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konsideruar se tashmë të gjitha përgatitjet e nevojshme janë bërë që ky proces të shkojë sa më mirë.

Kështu krahas përgatitjeve, sipas KQZ-së të gjitha komunat e vendit janë pajisur me materialet e nevojshme si dhe mbi pesë mijë pako me fletëvotime kanë ardhur nga diaspora, ku vlerësimi i tyre do të bëhet që nga nesër.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se gjykatat, prokuroria dhe policia janë mobilizuar për të përcjellë nesër procesin zgjedhor. Ai ka bërë thirrje qytetarëve që shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

“Policia ka gjithë informacionin ka bërë përgatitjet operacionale për sigurinë për zgjedhje. Edhe prokuroria janë mobilizuar, po ashtu edhe gjykata ka caktuar gjyqtarë kujdestarë në secilën gjykatë, degë të saj që do të punojnë ditën e zgjedhje. Po ashtu, edhe prokuroria ka caktuar prokurorë kujdestarë në secilin qytet”, ka njoftuar Radoniqi.

Ndryshe, sipas vendimit të KQZ-së, për Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave janë shtypur 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, dhe po kaq edhe për Zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur rreth 187 mijë fletëvotime më pak se votues apo rreth 10%. Kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në muajin shkurt, ishin shtypur rreth 178 mijë fletëvotime më pak se numri i votuesve.