Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj të akuzuarve për krim të organizuar, kontrabandim me emigrantë dhe falsifikim i dokumenteve, S.Krasniqi, A.Kuqi, B.Karaxha, H. Gashi, R.Kolgeci dhe F.Ferizi.

Gjashtë të akuzuarit po pretendohet se duke vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimeve financiare kishin kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës, duke i dërguar përmes Serbisë dhe Hungarisë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Prokurori special Atdhe Dema ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Ai ka thënë se pas administrimit të provave, përgjimeve dhe dokumentacioneve të tjera ishte vërtetuar se të akuzuarit kishin kryer veprat penale dhe se kishin vepruar si grup i organizuar me qëllim të përfitimit, duke kontrabanduar dhe duke gjetur emigrantë i kishin dërguar përmes Serbisë dhe Hungarisë, në vendet e ndryshme të BE-së.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 24 dhjetor 2013, pretendohet se të akuzuarit S.Krasniqi, A.Kuqi, B.Karaxha, H.Gashi, R.Kolgeci, se nga muaji janar i 2012, e deri më 4 shtator 2013, duke vepruar në kuadër të grupit të organizuar dhe të strukturuar, me qëllim të përfitimeve pasurore financiare, kanë kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës.

Bazuar në aktakuzë, dyshohet se i akuzuari S.Krasniqi kishte gjetur emigrantë që kishin qenë të interesuar të shkojnë në mënyre ilegale në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, e pasi ishin marrë vesh për çmimin, në mënyrë ilegale, përmes personave të ndryshëm në Serbi, i kishin dërguar përmes Serbisë dhe Hungarisë, në vende të ndryshe të Bashkimit Evropian, raporton BetimiPërDrejtësi.

Sipas aktakuzës, i akuzuari A.Kuqi, emigrantëve J.G, G.K, u kishte falsifikuar dokumentet, vërtetimet në gjuhën gjermane, certifikatat e gjendjeve familjare, dhe gjendjet që nuk janë nën hetime.

I akuzuari H.Gashi, sipas aktakuzës pretendohet, se si anëtar i grupit kriminal, kishte pritur emigrantët në lokalin “501” në Suharekë, sipas porosisë së të akuzuarit S.Krasniqi dhe i ka vënë në kontakte me të, e pastaj kishte bërë transferin e parave, të cilat para i fitonte i akuzuari S.Krasniqi.

Sipas aktakuzës, i akuzuari B.Karaxha, i ka gjetur emigrantët dhe i kishte dërguar tek i akuzuari Krasniqi, kurse emigrantin M.B e kishte dërguar te i akuzuari S.Cakolli, që t’ia rregullonte vizën, e që këtë vizë ia kishte rregulluar për shumën 3.500 euro.

Më këto veprime, në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “krim i organizuar” dhe “kontrabandim me migrantë”.

Gjithmonë sipas aktakuzës, e akuzuara F.Ferizi, në bashkëpunim me B.Karaxhen, me qëllim të përvetësimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, ka tentuar të kontrabandojë emigrantë të ndryshëm, nga Kosova në vendet e ndryshe të Bashkimit Evropian.

Ajo po dyshohet se emigrantit S.K, i cili kishte paguar 1500 euro, për t’ia rregulluar vizën dhe për t’ia mundësuar hyrjen në Bashkimin Evropian, e që Ferizi nuk kishte mundur t’ia rregullonte vizën, e as t’ia kthente paratë e marra për rregullimin e vizës, përveç 150 euro ia kishte kthyer përmes të akuzuarit Karaxha.

Më këtë veprim, akuzohet se ka kryer veprën penale “kontrabandim me emigrantë në tentativë”.

Sipas aktakuzës, S.Krasniqi nga data e pacaktuar e deri më 4 shtator 2013, kishte mbajtur pa autorizim, në pronësi, kontroll dhe posedim një  armë dhe një karikator për të njëjtën armë, në kundërshtim me ligjin. Për këto veprime ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I akuzuari A.Kuqi, sipas aktakuzës, nga një datë e pa caktuar e deri më 4 shtator 2013, në Suharekë, në lokalin e tij privat duke punuar si dizajner grafik, pa pasur autorizim kishte punuar dhe falsifikuar tabela të veturave të Kosovës si dhe të shteteve të tjera, po ashtu kishte falsifikuar edhe llogari bankare, vërtetime për gjuhën gjermane, certifikata të gjendjeve familjare dhe vërtetime që nuk janë nën hetime.

Ndërsa, i akuzuari K.Maliqaj po dyshohet se në janar 2013, në shtëpinë e tij në Suharekë kishte falsifikuar pasaportën në emër të tij, e pastaj e kishte fshirë edhe vulën e refuzimit të Sllovenisë, me qëllim të përdorimit të kësaj pasaporte si origjinale.

Për këto veprime Kuqi dhe Maliqaj po akuzohen se kanë kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve”.