Hapet aplikimi për studentët për shtesat prej 100 eurosh
Ka nisur aplikimi për studentët që duan të përfitojnë shtesën e njëhershme prej 100 eurosh, në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili njoftoi se aplikimi bëhet përmes platformës e-Kosova, te seksioni “Shërbimet”, në kategorinë “Familja”.
Sipas Muratit, janë dy formularë të ndryshëm: një për studentët shtetas të Kosovës dhe një tjetër për studentët që studiojnë në Kosovë, por nuk janë shtetas të vendit.Afati për aplikim do të jetë i hapur deri më 5 qershor 2026.
Qeveria në detyrë ka ekzekutuar gjithashtu edhe pagesat prej 100 eurosh për pensionistët dhe fëmijët, ndërsa opozita ka kritikuar këtë pako duke e cilësuar si veprim me motive elektorale në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
