Dy persona humbin jetën në autostradën “Ibrahim Rugova” në segmentin Suharekë-Duhël

Dy persona, njëri 26-vjeç e tjetri 20-vjeç, kanë humbur jetën në autostradën “Ibrahim Rugova” pasi kanë rënë në humnerë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në segmentin Suharekë- Duhël në afërsi të fshatit Sllapuzhan, ku dy të rinjtë duke kaluar mbi urën me nr. 11 në autostradë më saktësisht duke kaluar nga një trase në trasenë tjetër të autostradës kanë rëne në humnerë.

Dy të rinjtë që kanë humbur jetën janë identifikuar si A.B i lindur në vitin 1993 dhe G.G i lindur në vitin 1999.

Në momentin që kanë kaluar mburojën e trasesë së parë të autostradës dhe duke tentuar të kalojnë në trasenë tjetër kanë rënë në humnerë pasi që hapësira në mes dy traseve është afër 3 metra.

Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit, Shaban Osmanollaj, deklaroi për se pas shikimit të vendit të ngjarjes dhe deklaratave të marra nga shoferët dhe dëshmitareve është konstatuar se dy viktimat punonin si kondukterë të një kompanie kosovare e cila ofron shërbime të udhëtimit brenda dhe jashtë Kosovës.

Sipas tij, ndalimi i tyre në autostradë është bëre me qëllimin e shkëmbimit të gjërave nga njëri autobus në tjetrin pa menduar pasojat.

Me urdhër të prokurorit tre shoferë të autobusëve të cilët janë ndalur në autostradë në kundërshtim me ligjet e komunikacionit rrugor, janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Të ndaluarit janë M.M i lindur në vitin 1986, Sh.S i lindur në vitin 1969 dhe B.B i lindur në vitin 1980 të gjithë meshkuj, shqiptarë me shtetësi kosovare.

Policia e Kosovës duke ju shprehur ngushëllimeve familjeve të viktimave apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion dhe në veçanti në autostradë të respektojnë rregullat ligjore në mënyre që raste të tilla të mos përsëriten.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.