Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), njoftoi se remitancat deri në fund të korrikut 2023 arritën vlerën rreth 754 milionë euro, që paraqet rritje prej 12% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Vetëm në muajin korrik të këtij viti janë dërguar 118.8 milionë euro.

Remitancat më të larta vijnë nga Gjermania, Zvicra dhe SHBA.

“Remitancat kryesisht vijnë nga shtetet BE-së rreth 70% e gjithsej remitancave, prej të cilave kryeson Gjermania me 38.1% dhe ndiqen nga Zvicra me 17.6% dhe SHBA rreth 7.5%”, thuhet në raport.

Sipas vlerësimeve preliminare të BQK-së remitancat për muajin gusht ishin rreth 142.2 milionë euro. Prurjet më të mëdha edhe gjatë këtij muaji kanë qenë përmes IFJB 42%, kanalet tjera 40%, ndërsa përmes bankave 19%, thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore të Kosovës.