Detaje të reja nga tragjedia në rrugën “B” në Prishtinë
Policia e Kosovës ka publikuar detaje shtesë lidhur me incidentin tragjik të së premtes në rrugën “B” në Prishtinë, ku një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 në një ndërtesë të kësaj rruge.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se fillimisht ka therur me thikë bashkëshorten e tij dhe më pas ka goditur veten. Njësitet policore dhe ekipi i Emergjencës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar vdekjen e burrit.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, dyshohet se fillimisht ka ther me thikë bashkëshorten e tij dhe më pas ka goditur veten. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit policore si dhe njësia e Emergjencës ku kanë konstatuar vdekjen e tij. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion,” thuhet në njoftimin e PK-së.
Gruaja e plagosur është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Drejtori i klinikës emergjente në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar për RTK live përmes telefonit se gjendja e saj nuk është serioze.
“Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se personat kanë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë,” ka njoftuar Policia e Kosovës.
Hetuesit policorë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.
RTK live raporton gjithashtu se gruaja, pas marrjes së ndihmës së parë në Qendrën Emergjente, është lëshuar në përcjellje të policisë.