Dështon sërish seanca konstituive, Komisioni për votim të fshehtë merr vetëm 45 vota
Seanca për konstituimin e përbërjes parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit ka dështuar për të 32-tën herë sot.
Ky dështim thellon më tej ngërçin institucional në Kuvendin e Kosovës.
Kryesuesi i seancës, deputeti Avni Dehari, njoftoi se në sallë ishin të pranishëm 75 deputetë. Ai i ftoi sërish Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), koalicionin AAK-Nisma Socialdemokrate dhe Listën Serbe, që të propozojnë anëtarë për Komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë. Megjithatë, këto parti, edhe kësaj here, nuk propozuan asnjë anëtar.
Më pas, Dehari hodhi në votim komisionin e propozuar me anëtarët ekzistues. Pro votuan 45 deputetë, një ishte kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim. Ky numër votash mbeti i pamjaftueshëm për miratimin e komisionit, duke dështuar sërish procesin.
Si pasojë e këtij dështimi, seanca tjetër do të mbahet të martën, më 17 qershor, nga ora 10:00.