Bislimi sot del para Prokurorisë Speciale për rastin e fabrikës së mbetjeve shtazore
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ku është ftuar për të dhënë deklaratë në lidhje me hetimet që po zhvillohen rreth dhënies me qira të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Kjo çështje është bërë pjesë e një hetimi të thelluar, që përfshin dyshime për keqpërdorime në kontratën e qirasë së kësaj fabrike, të cilën e menaxhon Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Pikërisht nga kjo ministri, ish-ministri në detyrë, Faton Peci, kishte përmendur emrin e Bislimit gjatë deklarimeve të tij për funksionalizimin e objektit në fjalë.
Hetimet e Prokurorisë Speciale janë shoqëruar edhe me veprime konkrete të Policisë së Kosovës, e cila në fund të muajit të kaluar kreu bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Ferizaj. Këto ndërhyrje u zhvilluan me qëllim sigurimin e provave për kontratën që dyshohet se është keqpërdorur.
Deri më tani, përveç Bislimit, në këtë rast janë intervistuar edhe vetë ish-ministri Peci, si dhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Bekim Hoxha.
Prokuroria Speciale nuk ka dhënë ende detaje të mëtejshme mbi rrjedhën e hetimeve, ndërsa pritet të merren në pyetje edhe zyrtarë të tjerë institucionalë që kanë pasur rol në procesin e dhënies me qira të fabrikës.