Avdullah Hoti s’e ka mbështetjen time për të nënshkruar marrëveshje që e ka edhe Ujmanin në të

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i bën thirrje kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti që të mos e nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën përmendet Liqeni i Ujmanit. Haradinaj thotë se që prej 3 shtatorit është në dijeni se çështja e Ujmanit është njëra nga pikat e marrëveshjes.

“Kam komunikuar me të gjitha palët relevante, kam kërkuar që të hiqet si pikë, përndryshe nuk do të jemi pjesë e saj”, tha Haradinaj.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Haradinaj tha se nëse marrëveshja nënshkruhet sot, më 4 shtator, dhe ka çështjen e Ujmanit në të, ai dhe partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që është pjesë e koalicionit qeverisës – nuk do ta përkrahin.

“Ujmani është një liqe që ka 9,2 kilometra në territorin e Kosovës, dhe ka 2,7 në territorin e Serbisë. Pra, është një kufi ujor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe një hidrocentral në brendi të Kosovës. Ne nuk e vlerësojmë që duhet të jetë në një marrëveshje trelaterale ku është edhe Serbia palë e ardhmja e Ujmanit. Jemi të hapur me Departamentin e Energjisë të Amerikës për të ardhmen e Ujmanit, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku edhe Serbia është palë, lidhur me të ardhmen e Ujmanit”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se për heqjen e kësaj pike nga marrëveshja ka folur me të gjitha autoritetet relevante, pasi sipas tij, përfshirja e Ujmanit në marrëveshjen e paralajmëruar, “është e papranueshme”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.