Inspektimet kanë filluar në rajonin e Prishtinës dhe gjatë ditëve në vijim do të shtrihen edhe në komunat e tjera të vendit. Aksioni është ndërmarrë pas ankesave të konsumatorëve për mospërputhje mes peshës së deklaruar dhe peshës reale të bukës.
Gjatë kontrolleve po verifikohet pesha e produkteve, rregullsia dhe afati i vlefshmërisë së peshoreve, si dhe posedimi i pëlqimit për kushtet minimale teknike.
Sipas institucioneve, bizneset që shesin produkte me peshë më të ulët se ajo e deklaruar mund të gjobiten nga 1,000 deri në 10,000 euro, ndërsa për përdorimin e peshoreve të parregullta gjobat mund të jenë nga 500 deri në 1,500 euro.
AMK dhe IQMT kanë paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim të garantimit të matjeve të sakta dhe mbrojtjes së konsumatorëve.