26 vjet nga Marrëveshja e Kumanovës, fundi i luftës dhe zbarkimi i NATO-s në Kosovë

para 10 dite

Sot shënohen 26 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës, një dokument kyç që i dha fund luftës në Kosovë.

26 vjet nga Marrëveshja e Kumanovës, fundi i luftës dhe zbarkimi i NATO-s në Kosovë

Kjo marrëveshje historike detyroi Serbinë të tërhiqte të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga territori i Kosovës, pas një konflikti të përgjakshëm.

Nënshkrimi i marrëveshjes erdhi pas 78 ditësh të fushatës së bombardimeve ajrore të NATO-s mbi caqet serbe, si dhe pas përpjekjeve të shumta diplomatike për t’i dhënë fund luftës. Gjatë kësaj lufte tragjike, mbi 10 mijë njerëz u vranë, rreth 5 mijë të tjerë mbetën të zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptarë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre.

Më 10 qershor 1999, Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i NATO-s, Javier Solana, dha urdhrin për ndalimin e bombardimeve. Menjëherë pas kësaj, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezoluta 1244, duke hapur rrugën për vendosjen e forcave paqeruajtëse.

Dy ditë më vonë, më 12 qershor 1999, trupat e para të këmbësorisë së NATO-s zbarkuan në Kosovë, duke shënuar fillimin e largimit të forcave serbe dhe kthimin e shpresës për popullatën. Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e Misionit të Përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), i cili do të merrte në administrim vendin për një periudhë të caktuar kohore, duke hapur një kapitull të ri në historinë e Kosovës.

Etiketat

Ofertat e fundit