Ndonëse kandidatët për deputetë kanë filluar një fushatë parazgjedhore me numrat e tyre në listën e kandidatëve për deputetë, por ende nuk kanë mësuar subjektet politike numrat e tyre në fletëvotimin e zgjedhjeve të 6 tetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot organizon tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 6 tetor 2019.
Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike, bëhet në ndërtesën e KQZ-së.
Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që numrat e partive politike për zgjedhjet e 6 tetorit të jenë nga 111 e më lartë dhe të mos korrespondojnë me numrat e kandidatëve për deputetë, sikurse në zgjedhjet e kaluara.
Për këtë vendim ka njoftuar drejtori ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimit të Subjekteve Politike, Yll Buleshkaj, sipas të cilit tash e tutje renditja e subjekteve politike në fletëvotim do të jenë nga 111 deri 135, raporton KP. Për këtë udhëzim u pajtuan të gjithë anëtarët e partive politike. Ilir Gashi anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së, ndonëse u pajtua me këtë udhëzim, kërkoi që të bëhet më atraktiv kombinimi i numrave.
“Çdo herë kur e kemi bërë tërheqjen e shortit ka koinciduar që ai numër me i ra një kandidati, dhe pothuajse sa herë që kandidatëve iu ka rënë ai numër, ata janë bërë deputet, pavarësisht se a ka qenë i 80 apo 90, megjithatë kanë pasur fat. Ndoshta pajtohem me këtë që kanë propozuar që të jetë mbi 110, por do të ishte mirë që të ketë një atraktivitet të numrave në kuptim të renditjes, sepse ajo bëhet kur të tërhiqet shorti, por kombinimi i numrave do të ishin më lehtë për t’u mbajtur mend për faktin se janë tre shifror”, tha ai.

Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.