Dita ndërkombëtare e personave me nevoja të veçanta është ditë e cila u promovua nga Kombet e Bashkuara në vitin 1992. Kjo ditë ka për qëllim të ngrejë vetëdijen për një mirëkuptim më të plotë të personave të cilët kanë ndonjë hendikep të caktuar, t’i inkurajojë njerëzit të jenë më të vetëdijshëm për të drejtat, dinjitetin dhe mirëqenien e personave me nevoja të veçanta, si dhe të ngrejë vetëdijen për përfitimet që sjell integrimi i peronave me nevoja të veçanta në çdo aspekt të jetës, që nga ai ekonomik, politik, social dhe kulturor.

Dita e personave me nevoja të veçanta nuk përfshin vetëm hendikepin mendor edhe atë fizik, por edhe më gjerë, duke filluar që nga autizmi, Sindroma e Daunit, multipleks skleroza, etj.

Duke filluar nga viti 1992, çdo vit, në shumë vende mbahen vente të ndryshme. Dita e personave me nevoja të veçanta shfrytëzohet për të bërë diskutime, forume dhe fushata që kanë të bëjnë me invaliditetin, ndërsa komunitetet inkurajohen të organizojnë takime, bisedime, madje edhe evente dhe tribuna në nivel lokal. Aktivitetet mund të jenë nga më të ndryshmet, dhe në to duhet të jenë të përfshirë persona me nevoja të veçanta. Qëllimi kryesor i këtyre eventeve është që tu tregojnë të gjithë njerëzve që personat me ndonjë formë të invaliditetit mund të jenë anëtarë aktiv të shoqërisë, sepse shpesh ndodh që të diskriminohen nga individë ose nga vetë shoqëria.

Aftësia e kufizuar nuk është thjesht një çështje e shëndetit publik, por gjithashtu e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të shoqërisë. Përpjekjet e OBSH-së për të mbështetur shtetet në aspekte të ndryshme, reflektohen në Planin e Veprimit për Personat me nevoja të veçanta 2014-2021, në Raportin Botëror për Aftësinë e Kufizuar, si dhe në Konventën e të Drejtave për Personat me Aftësi të Kufizuar.

Dita Ndërkombëtare e Personave me nevoja të veçanta 3 dhjetor, u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit

Më 11 qershor 2019, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, lansoi Strategjinë për Aftësinë e Kufizuar në një linjë me angazhimet e tij, për të shndërruar Kombet e Bashkuara një organizatë gjithëpërfshirëse.

Strategjia në fjalë, thekson nxitjen e një progresi transformues dhe të qëndrueshëm, riafirmon përmbushjen e plotë të çështjes së personave me nevoja të veçanta, si pjesë integrale e pandashme e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.