Tag: Aplikimi për tu bërë polic

  • Interes rekord për t’u bërë polic – pritet rikthimi i trajnimit 6-mujor

    Interes rekord për t’u bërë polic – pritet rikthimi i trajnimit 6-mujor

    Janë 350 pozita të reja që do të plotësohen në këtë institucion, pas përfundimit të konkursit të fundit që ishte i hapur nga data 17 qershor deri më 7 korrik.

    Interesimi për këto pozita ka qenë i jashtëzakonshëm: gjithsej 6,818 qytetarë kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës. Nga ky numër, 5,569 janë meshkuj dhe 1,249 janë femra. Një konkurrencë e ashpër për një numër të kufizuar të vendeve të punës.

    Por, si shpjegohet ky interesim kaq i madh?

    Sipas Visar Rrecajt, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, qytetarët vazhdojnë të kenë një perceptim të gabuar për punën në institucione publike. “Qytetarët e Kosovës e kanë një përshtypje që domosdo duhet të jenë të punësuar në një punë të shtetit, e cila është një qasje e gabuar e djemve dhe vajzave të reja, sepse një punë e shtetit nuk sjell edhe një punë të sigurt, një punë e shtetit nuk të sjell të ardhura të mjaftueshme dhe të sigurta për të jetuar”, deklaron ai.

    Kritikat nuk ndalen vetëm tek perceptimi i qytetarëve. Rrecaj ka ngritur shqetësime serioze edhe për shkurtimin e trajnimit në Akademinë Policore – nga 6 muaj në vetëm 3 muaj. Ai e sheh këtë si një hap të gabuar, duke rikujtuar edhe rastin tragjik në Lipjan, ku një qytetar humbi jetën dhe ku sipas dyshimeve, ndërhyrja e gabuar e zyrtarëve policorë mund të ketë ardhur si pasojë e mungesës së përgatitjes.

    “Trajnimet kryhen, por koha gjatë së cilës ata i kryejnë këto trajnime nuk mjafton që këto trajnime të kthehen në shprehi. Trajnimet fizike dhe psikike duhet të përsëriten shumë gjatë, deri të kthehen në shprehi”, shton Rrecaj.

    Televizioni Dukagjini ka pyetur Policinë e Kosovës nëse planifikohet rikthimi i trajnimit 6-mujor për gjeneratat e ardhshme, por deri më tani nuk ka pasur përgjigje zyrtare. Megjithatë, burime të afërta me institucionin kanë konfirmuar për televizionin se rikthimi i trajnimit të zgjeruar është në plan.

    Këto pritshmëri i ka konfirmuar edhe ish-nënkoloneli Refki Morina. “Trajnimi që ka qenë 3 muaj, shumë shpejt do të kthehet në 6 muaj. Në bazë të informacioneve që kemi, do të kenë trajnime të mjaftueshme si për armë dhe të tjerat, dhe duhet t’i kushtohet rëndësi shumë edhe trajnimeve që do të kryhen pas Akademisë, sidomos në punën e tyre fushore 19-javore”, tha Morina.

    Në opinionin publik, shkurtimi i trajnimit është lidhur me nevojën emergjente për të pasur më shumë zyrtarë policorë në terren, për shkak të mungesës së tyre. Por, profesionalizmi dhe përgatitja e tyre mbeten pikë kyçe për një polici efektive dhe të sigurt për qytetarët.

    Ndërsa gara për 350 pozitat e reja pritet të jetë tejet konkurruese, mbetet për t’u parë nëse Policia e Kosovës do t’i kthehet një modeli më të thelluar trajnimi – si një hap drejt rritjes së standardeve dhe besimit publik në këtë institucion.