Kurti në Prizren: Sovraniteti është shtrirë dhe siguria në nivele rekord!
Në një tubim të mbajtur në Prizren, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpalosur arritjet e qeverisjes së tij, duke theksuar se sovraniteti është shtrirë në të gjithë territorin e vendit dhe se situata e sigurisë është në nivele rekord.
“Kurrë kosovarët nuk e kanë pasur situatën e sigurisë më të mirë,” ka thënë Kurti, duke theksuar se qeveria e tij ka punuar pa u lodhur për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve.
Ai ka premtuar zhvillim të mëtejshëm në ekonomi dhe shëndetësi, si dhe investime të mëdha në infrastrukturë. “Për 4 vjet buxheti dhe ekonomia janë rritur, dhe këto të arritura i kemi shpërndarë për bujqit dhe zejtarët,” ka theksuar Kurti.
Ai ka shtuar se Prizreni asnjëherë nuk ka qenë më i përfaqësuar sesa në qeverisjen e tij, duke theksuar se qeveria e tij ka qenë dhe do të jetë e të gjithëve.
Kurti ka premtuar se në mandatin e ardhshëm do të vazhdojnë punët e mira në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimin e vendit. Ai ka ftuar qytetarët që t’i besojnë atij dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke premtuar se me qeverisjen e tij, Kosova do të bëhet një vend më i mirë për të jetuar.