3500 euro gjobë për AAK-në, kandidatët Albana Bytyqi dhe Driton Maliqaj vendosën jashtëligjshëm postera në Suharekë
Në një vendim, PZAP ka vendosur në favor të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke gjetur se Koalicioni AAK-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA-Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Intelektualët ka shkelur Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike gjatë fushatës zgjedhore.
Si pasojë, koalicioni është dënuar me një gjobë prej 3,500 euro.
Ankesa e LVV-së u bazua në pretendimin se aktivistët e tyre kishin zbuluar banera dhe postera të kandidatëve të koalicionit të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësira publike në Suharekë. Këto veprime, sipas LVV-së, ishin në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili ndalon vendosjen e materialeve propaganduese në hapësira publike pa leje.
Koalicioni AAK, nga ana tjetër, e kishte mohuar akuzën, duke pohuar se kishin marrë të gjitha lejet e nevojshme për vendosjen e materialeve të tyre. Ata kishin paraqitur kontrata si prova për këto pretendime.
Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të provave të paraqitura nga të dyja palët, PZAP arriti në konkluzionin se ankesa e LVV-së ishte e bazuar. Komisioni konstatoi se koalicioni AAK kishte vendosur banerat dhe posterat në kundërshtim me ligjin, duke shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme hapësira publike.
Në vendimin e tij, PZAP theksoi se veprimet e koalicionit AAK përbënin një shkelje të qartë të Kodit të Mirësjelljes dhe se dënimi me gjobë ishte i justifikuar.
“Me datë 23.01.2025 PZAP ka pranuar ankesën Anr.166/2025 nga Subjekti Politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me të cilën pretendon se më datë 22.01.2025, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë në rrugën “Brigada 123″ kanë identifikuar banerët/posterët e vendosur në hapësirat/rrugët publike, të kandidatëve për deputetë Albana Bytyqi dhe Driton Maliqaj, nga radhët e Koalicionit AAK-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA-Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Intelektualët” thuhet në njoftimin e PZAP-së.