Analistët mendojnë se bashkimi i listave zgjedhore nuk ndikon në rritjen e votave

26.01.2021

Analistët në emisionin “Debat Plus” mendojnë se bashkimi i listave nga partitë politike edhe në të kaluarën ka treguar se nuk i maksimalizon votën. Analisti, Imer Mushkolaj se jo domosdoshmërisht bashkimi i listave sjell më shumë vota në zgjedhje. Ai madje ka thënë se bashkimi i Vjosa Osmanit me Kurtin është taktik. “Ka votues të […]

Analistët mendojnë se bashkimi i listave zgjedhore nuk ndikon në rritjen e votave Foto: Ilustrim

Analistët në emisionin “Debat Plus” mendojnë se bashkimi i listave nga partitë politike edhe në të kaluarën ka treguar se nuk i maksimalizon votën.

Analisti, Imer Mushkolaj se jo domosdoshmërisht bashkimi i listave sjell më shumë vota në zgjedhje. Ai madje ka thënë se bashkimi i Vjosa Osmanit me Kurtin është taktik.

“Ka votues të pakënaqur të LDK-së që nuk do ta votonin direkt Kurtin por e votojnë Vjosa Osmanin” është shprehur ai.

Donika Emini thotë se bashkimi i listave nuk ndikon shumë në subjekte por ka ndikim te kandidatët e partive të ndryshme që futen në koalicion.

“Po të kishim bashkim të partive të mëdha mund të kishte ndryshime të mëdha edhe në përqindje”.

Ish-deputeti Korab Sejdiu thotë se nga të gjitha bashkimet e listave, më frytdhënësi do të jetë bashkimi i Vjosa Osmanit me LVV-në.

“Bashkimi i AKR-së me LDK-në më shumë shihet si bashkim i zorit. Dy partitë janë në një lloj krize dhe janë bashkuar me parimin një dhe një bëjnë dy. Por të dy partitë kanë brumë të njëjtë të elektoratit… Pos zotit Pacolli edhe rikthimi i Ibrahim Makollit mund të jetë një plus për këtë listë pasi ai mund të sjellë vota nga terreni”.

Krenare Vokshi-Shala ka thënë se aderimi i Vjosa Osmanit në LVV do ta prishë bilancin politik në LVV.

“Pas 14 shkurtit Vjosa Osmani do të jetë pjesë e LVV-së dhe ajo do ta pengonte një koalicion të mundshëm LVV-LDK, apo LVV-PDK”.

Astrit Gashi ka thënë se nga e kaluara është parë që dy parti nuk mund të maksimalizojnë votat kur futen në një listë të përbashkët zgjedhore.

“Në rastin LDK-AKR do të ketë maksimalizim të votave pasi janë një trup votues. Një votues i AKR-së nuk besoj se ka problem të votojë LDK-në…Vjosa është vendosur kandidate për presidente për ta maksimalizuar votën për LVV. Kjo nuk do të ndodhte nëse ajo do të ishte vetëm kandidate e thjeshtë për deputete”.

Arton Demhasaj ka thënë se bashkimi LDK-AKR është i natyrshëm pasi sipas tij AKR ka dalë nga LDK.

“Por bashkimi i Vjosa Osmanit me LVV-në në çdo aspekt është i palogjikshëm. Në aspektin ideologjikë janë tërësisht të ndryshëm. E dyta, rrugëtimi politik i Vjosa Osmanit ka qenë duke sulmuar PDK-në dhe LVV-në. Bashkëpunimi i tanishëm i Osmanit me LVV-në është i panatyrshëm”, tha Demhasaj.