PDK: Fundi i dialogut nuk do të jetë i lumtur

17.09.2019

Procesi i dialogut me Serbinë pritet të jetë njëra ndër çështjet më të rëndësishme që do t’i trashëgojë qeveria e ardhshme. Ndonëse jemi në prag të zgjedhjeve të reja, asnjëra prej partive politike në Kosovë nuk e ka publikuar planin se si do ta udhëheqë dialogun Kosovë – Serbi, edhe pse disa prej kandidatëve për […]

PDK: Fundi i dialogut nuk do të jetë i lumtur Foto: Partia Demokratike të Kosovës (PDK)

Procesi i dialogut me Serbinë pritet të jetë njëra ndër çështjet më të rëndësishme që do t’i trashëgojë qeveria e ardhshme.

Ndonëse jemi në prag të zgjedhjeve të reja, asnjëra prej partive politike në Kosovë nuk e ka publikuar planin se si do ta udhëheqë dialogun Kosovë – Serbi, edhe pse disa prej kandidatëve për kryeministër janë shprehur të gatshëm ta drejtojnë këtë proces.

Ndonëse në prag të zgjedhjeve, nga Partia Demokratike e Kosovës ende nuk janë papërcaktuar nëse do ta udhëheqin dialogun në rast të marrjes së qeverisë ose do të vazhdojnë ta lënë atë në duar të ish-kryetarit të PDK-së, i cili tashmë është president i Kosovës dhe udhëheq me këtë proces.

Nënkryetari i kësaj partie, Xhavit Haliti, ka theksuar për “Zërin” se megjithatë negociatat duhet të bëhen në përputhje me politikat shtetërore të Kosovës.

“Është më mirë të dialogohet qindra vjet sesa të luftohet dy ditë. Dialogu duhet të bëhet në secilën variant, por duhet të bëhet sipas një politike shtetërore që e bën Kosova në raport me Serbinë, të bëhet sipas interesave që tashmë dihen. Por interesi i të dyja palëve është për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Haliti.

Haliti thekson se fundi i dialogut mund të mos jetë i kënaqshëm, por së paku duhet të përfundojë me njohje reciproke Kosovë – Serbi.

“E di që pas këtij dialogu nuk do të ketë lumturi në asnjërën palë po besoj. Por e mira e së mirës është që përfundimi duhet të jetë njohja reciproke e të dyja vendeve dhe zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar”, ka shtuar ai.