Limaj premton mbështetje për qendrat e aftësimit profesional

23.09.2019

Zëvendëskryeministri në detyrë, Fatmir Limaj dhe ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, kanë vizituar sot Qendrën e Aftësimit Profesional në Prizren, ku kanë premtuar mbështetje dhe investime më të madhe për këto Qendra që sipas tyre po aftësojnë të rinjtë e vendit për tregun e punës. Zëvendëskryeministri Limaj, i cili është […]

Limaj premton mbështetje për qendrat e aftësimit profesional Foto: Ilustrim

Zëvendëskryeministri në detyrë, Fatmir Limaj dhe ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, kanë vizituar sot Qendrën e Aftësimit Profesional në Prizren, ku kanë premtuar mbështetje dhe investime më të madhe për këto Qendra që sipas tyre po aftësojnë të rinjtë e vendit për tregun e punës.

Zëvendëskryeministri Limaj, i cili është edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, tha se qendrat e tilla po mundësojnë që njerëzit të marrin zanate të ndryshme dhe të gjejnë më pastaj punë.

Ai tha se Qendrat e Aftësimit Profesional dhe shkollat profesionale do të mbështetën edhe më shumë, pasi sipas tij kjo është e vetmja rrugë dhe mundësi për të pasur një fuqi punëtore kualitative.

“Qendra ku njerëzit kanë mundësi me marrë zanat siç u tha pa asnjë shpenzim dhe ftesa ime është për të gjithë djemtë, vajzat, burra e gra që e shohin vetën se nuk e kanë një zanat përkatës në jetën e tyre, le t’i drejtohen këtyre qendrave e të mos humbin kohë, le të marrin një zanat. Mbi 2-mijë e sa njerëz, e pjesa dërrmuese e tyre kanë gjetur punë, tregon më së miri se sa janë të rëndësishme këto qendra dhe sa ka nevojë për treg për fuqi punëtore që ushtrojnë profesionalizëm…Ne do të vazhdojmë fuqishëm në politikat tona të fuqizimit të këtyre qendrave, kjo është politika jonë. Kjo politikë që e ka shtyer ministri vazhdimisht e do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Qendrat e Aftësimit Profesional dhe shkollat profesionale do të jenë temat tona kryesore të investimet e të fuqizimit, sepse besojmë se kjo është e vetmja rrugë dhe mundësi për të pasur një fuqi punëtore kualitative, të gatshëm për tregun e punës e cila do të jetë bartës i zhvillimit ekonomik”, tha Limaj.

Kurse, ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skënder Reçica, tha se rreth 80 përqind e atyre që ndjekin trajnimet gjejnë një vend pune.

“Nga janari i vitit 2018 e deri më sot në 17 profilet që i ka ky institucion për aftësim dhe riaftësim profesional të punëkërkuesve kanë kaluar mbi 2 mijë e 600 punëkërkues. Kemi dëshmitarë nga trajnerët, nga ekipi që punon këtu se diku rreth 80 përqind e tyre pa mbaruar trajnimin prej 90 dite arrijnë të gjejnë një punë në fushën ku ata i marrin trajnimet bazike”, tha ai.

Reçica u ka bërë thirrje të gjithë atyre që janë pa punë që të vizitojnë këtë Qendër dhe të marrin trajnime pasi që gjithcka është falas.

Kurse, drejtori i Qendrës së Aftësimit Profesional në Prizren, Hajrullah Hoxha tha se gjithmonë kanë pasur bashkëpunim të mirë me ministrin Reçica dhe se i ka mbështetur në vazhdimësi.

“Kjo nuk është hera e parë që ministri na viziton, është hera e katërt që na viziton për çdo vit dhe jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin dhe interesin që ministri ka treguar. Në veçanti tani edhe zv.kryeministri e falënderojmë që sot ka gjetur kohë me na vizitua”, tha ai.