04.10.2019, 23:00

Kurti: Me Qeverinë tonë, për të gjithë të gjitha për neve asgjë

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Aty para simpatizantëve dhe qytetarëve, kandidati për Kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se nuk kanë mundur që ta kontrollojnë rritjen e subjektit politik.

“Ka shumë flamuj në këtë tubim madhështor sepse Lëvizja nuk është vetëm e jona. Lëvizja është si lum pa brigje. Ne s’e kontrollojmë dot rritjen e saj por ajo e  kontrollon edhe veten edhe neve. Kjo fushatë zgjedhore ishte marramendëse me intensitetin e vet . Teksa presim me padurim ditën e zgjedhjeve ua kushtojë një falënderim aktivistëve të lëvizjes”, ka thënë Kurti.

“Jemi shtuar, jemi rritur dhe do të fitojmë sepse duhet. Nuk jemi vet sepse jemi bashkë. Nuk jemi për vete sepse jemi për juve. Filozofia e pushteteve të kaluara ka qenë: Për vete gjithçka për të tjerët asgjë. Filozofia jonë në Qeveri do të jetë: Për të gjithë të gjitha për neve asgjë”.

“Si qeveri e re do ta gjejmë Kosovën në një gjendje shumë të rëndë. Qytetarët e kanë humbur besimin në shtet sepse nuk kanë pasur qeveri të mirë. Çdo i gjashti qytetar është i varfër. Dija është kapitali i vetëm që shumëfishohet duke u ndarë. Qeveria jonë do ta reformojë arsimin. Pa lexim s’ka dije. Do ta bëjmë atë kulturë e jo hobi. Mërgata jonë është motori ynë ekonomik”.

“Dialogu i ardhëm do të jetë parimor e simetrik. Unë do ta udhëheq ekipin e ardhshëm të këtij dialogu. Konteksti ynë nuk do të shtrohet me pyetjen: Cili është çmimi që duhet ta paguaj Kosova për njohjen e Serbisë?, por do të jetë: Cili është borxhi që na e ka Serbia për integrime evropiane”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.