KQZ-ja gati për zgjedhje, materialet do të shpërndahen në 2547 vendvotime

05.10.2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka bërë shpërndarjen e materialit të ndjeshëm zgjedhor nga depoja qendrore në 38 komuna të Republikës së Kosovës. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se ky material i ndjeshëm zgjedhor sipas planifikimeve do të shpërndahet të dielën në orët e hershme të mëngjesit […]

KQZ-ja gati për zgjedhje, materialet do të shpërndahen në 2547 vendvotime Foto: Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka bërë shpërndarjen e materialit të ndjeshëm zgjedhor nga depoja qendrore në 38 komuna të Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se ky material i ndjeshëm zgjedhor sipas planifikimeve do të shpërndahet të dielën në orët e hershme të mëngjesit nga Komisionet Komunale të zgjedhjeve nëpër 2547 vendvotime.

“Në bazë të planifikimeve të mëhershme nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sot kemi bërë shpërndarjen e materialit të ndjeshëm zgjedhorë nga depoja qendrore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, 38 sosh gjithandej e Republikës së Kosovës. Ky material i ndjeshëm zgjedhorë po ashtu sipas planifikimeve do të shpërndahet të dielën në orët e hershme të mëngjesit nga depo e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për në të gjitha vendvotimet në Republikën e Kosovës, 2547 sosh sa do të jenë të hapura ne orën 7 të mëngjesit dhe të cilat do të  mbyllen  në orën 19:00 “, tha Elezi.

Sipas tij, përgatitjet kanë shkuar në bazë të dinamikës së miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ai tha se materiali i ndjeshëm zgjedhor është shpërndarë sipas planifikimeve dhe nën përcjellën e Policisë së Republikës së Kosovës

“Në përgjithësi përgatitjet lidhur me organizimin e procesit zgjedhor kanë shkuar në bazë të dinamikës së miratuar, të planifikuar nga ana e Komisionit Qendror të zgjedhjeve në fillim të këtij procesi zgjedhor dhe mund të themi se gjithçka  është gati që nesër në orën 07:00 të mëngjesit të hapen të gjitha vendvotimet në mënyrë që qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese. I gjithë materiali i ndjeshëm zgjedhor është shpërndarë sipas planifikimeve dhe nën përcjellën e Policisë së Republikës së Kosovës”, tha Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, e cila përmban 1 milion e 937 mijë e 868 votues, të cilët kanë mundësi të votojnë në 2 547 vendvotime ndërsa numri i qendrave të votimit është 895.