Dështimi i koalicionit LDK – LVV ka lënë hapësirë për improvizime

23.09.2019

Ndonëse që nga paslufta janë mbajtur gjashtë palë zgjedhjesh, këto të fundit, që do të mbahen më 6 tetor, po konsiderohen të jenë më të paparashikueshmet. Se kush do të udhëheqë me qeverinë e ardhshme pritet të jetë befasi, për shkak të rezultatit të ngushtë që partitë politike patën në mes vete në zgjedhjet e […]

Dështimi i koalicionit LDK – LVV ka lënë hapësirë për improvizime Foto: Ilustrim

Ndonëse që nga paslufta janë mbajtur gjashtë palë zgjedhjesh, këto të fundit, që do të mbahen më 6 tetor, po konsiderohen të jenë më të paparashikueshmet.

Se kush do të udhëheqë me qeverinë e ardhshme pritet të jetë befasi, për shkak të rezultatit të ngushtë që partitë politike patën në mes vete në zgjedhjet e kaluara, por edhe për arsye se në këto zgjedhje tri nga subjektet më të mëdha politike kanë garuar të vetme, shkruan gazeta “Zëri”.

Njohësi i rrethanave politike në vend Mazllum Baraliu duke folur për “Zërin” është shprehur se pas zgjedhjeve të 6 tetorit është vështirë e parashikueshme se kush do ta bëjë qeverinë. Ai thotë se mungesa e parimeve te subjektet politike mund të sjellë çfarëdo befasish pas zgjedhjeve.

“Kombinatorikat janë të paparashikueshme, gjithçka mund të ndodhë për shkak të mungesës së parimeve, të etikës dhe të moralit politik. Shumë herë ndodh që para zgjedhjeve partitë i orientojnë votuesit për një qeverisje tjetër fare, ndërkohë që pas zgjedhjeve bashkohen me kundërshtarët e tyre, me të cilët kanë kundërshti edhe në pikëpamje programore, edhe në ato ideologjike. Kështu që është e mundur të ndodhë çdo gjë pas zgjedhjeve”, ka thënë Baraliu.

Mirëpo Baraliu thekson se një hapësirë tjetër për improvizim pas zgjedhjeve e ka lënë edhe dështimi i koalicionit parazgjedhor LDK – LVV.

“Koalicioni parazgjedhor mes LDK-së dhe LVV-së mund t’i prishte llogaritë e shumëkujt për mundësitë e kombinimeve dhe koalicioneve paszgjedhore. Këto dy subjekte para zgjedhjeve mund të kenë pasur bindje se do të jenë të parat, por kjo mund të jetë mashtrim ose iluzion i krijuar sepse asnjëherë nuk dihet ajo që do të nxirret nga zgjedhjet e 6 tetorit. Tani mbetet që ta provojnë fatin e tyre, por edhe befasitë e pakëndshme që mund t’u ndodhin këtyre dy subjekteve me kombinimet që mund të vijnë pas zgjedhjeve”, ka deklaruar Baraliu./ZERI