Daka: KQZ është gati për ditën e zgjedhjeve

04.10.2019

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se i kanë kryer të gjitha obligimet e veta kushtetuese sa i përket ditës së zgjedhjeve të përgjithshme. “KQZ tashmë është gati për ditën e 6 tetorit. Shpresoj se edhe ajo ditë do të shkojë siç kemi planifikuar. Si KQZ ne kemi organizuar vetëm zgjedhje […]

Daka: KQZ është gati për ditën e zgjedhjeve Foto: Ilustrim

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se i kanë kryer të gjitha obligimet e veta kushtetuese sa i përket ditës së zgjedhjeve të përgjithshme.

“KQZ tashmë është gati për ditën e 6 tetorit. Shpresoj se edhe ajo ditë do të shkojë siç kemi planifikuar. Si KQZ ne kemi organizuar vetëm zgjedhje të parakohshme, asnjëherë nuk kemi organizuar zgjedhje të rregullta”.

“Zgjedhjet janë sfiduese që të organizohen në afate të shkurta. Mjafton  një kiks i vogël dhe i gjithë procesi del nga dora, por tash për tash jemi mirë”, ka thënë Daka.

Sa i përket listave zgjedhore, Daka ka theksuar se si komision nuk kanë shumë kompetenca që të bëjnë diçka në to jashtë proceseve zgjedhore.

“Janë hequr një numër i madh i personave të vdekur. Kjo bëhet temë në të gjitha zgjedhjet. Numërimi i popullsisë në vitin 2011 ka treguar se janë rreth 1.7 milionë banorë rezidentë. Me regjistrimin e popullsisë nuk është regjistruar diaspora. Ata nuk janë regjistruar por janë votues.

“Është e vërtetë që regjistrohen një numër i madh i tyre por deri në ditën kur kanë të drejtë t’i dërgojnë fletëvotimet nuk ka një numër të madh. Kjo ndoshta ndodh për shkak të procedurave të komplikuara, të procedurës së kushtueshme, por ndoshta edhe nuk janë aq të interesuar për këtë proces. Ka qytetarë që jetojnë jashtë 20-30 vjet dhe interesimi për t’i zgjedhur përfaqësuesit në Kuvend bie”.