Daka: Komisionerët që bëjnë manipulime do t’i dërgojmë në Prokurori

04.10.2019

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se emrat e komisionarëve që tentojnë të bëjnë ndonjë manipulim në ditën e zgjedhjeve, do të dërgohen në prokurori. Kështu tha ajo në emisionin Magazina Zgjedhore në Klan Kosova, duke shtuar se rreth 35 mijë vëzhgues të akredituar do të jenë gjithandej Kosovës duke vëzhguar […]

Daka: Komisionerët që bëjnë manipulime do t’i dërgojmë në Prokurori Foto: Ilustrim

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se emrat e komisionarëve që tentojnë të bëjnë ndonjë manipulim në ditën e zgjedhjeve, do të dërgohen në prokurori.

Kështu tha ajo në emisionin Magazina Zgjedhore në Klan Kosova, duke shtuar se rreth 35 mijë vëzhgues të akredituar do të jenë gjithandej Kosovës duke vëzhguar procesin zgjedhor.

“Tek vota e kandidatëve ne kemi parë se përbrenda një subjekti politik ka pasur një garë joreale ku komisionarët kanë shtrembëruar rezultatet e kandidatëve. Ne si KQZ kemi bërë atë çfarë kemi në kompetencë, kemi bërë kallëzime penale dhe i kemi dërguar në prokurori”.

“I kemi hequr ata komisionarë që kanë qenë të implikuar në parregullsi. Ne përsëri, këtë herë do t’i dërgojmë në prokurori kutitë që dyshojmë se kanë mospërputhje – në momentin e parë që vjen kutia”.

“Ne nuk do të presim të vërtetohen nëse janë të sakta apo jo – automatikisht do t’i dërgojmë në prokurori. Nuk do të lejojmë asnjë shtrembërim të rezultatit, qoftë ta partive apo të kandidatit”.

“Që nga viti 2010, kemi dërguar me mijëra kallëzime penale. Shumica e madhe prej tyre janë të dënuar, ka prej tyre që kanë vuajtur dënime me burg dhe kanë paguar gjoba të larta”.

“U drejtohem të gjithëve se në ditën e zgjedhjeve ne nuk do të bëjmë kompromise dhe për të gjithë ata komisionarë që kanë tentuar të bëjnë ndonjë manipulim, ne nga dita e hënë do t’i dërgojmë emrat në prokurori”.

“Sa i përket monitorimit ne nuk kemi shumë monitorues, por ne kemi 35 mijë vëzhgues të akredituar të cilët në ditën e zgjedhjeve do të jenë gjithandej Kosovës. Të gjithë ata e kanë një qëllim – vëzhgimin në ditën e zgjedhjeve. Ata do të jenë të pranishëm gjatë gjithë procesit”.