Kandidatët për kryetar të Suharekës përballë bizneseve

Një takim i organizuar nga Qendra e Biznesit në Suharekës ka bërë bashkë kandidatët për kryetar të komunës, ku secili prej tyre kanë shpalosur programet e tyre për zhvillim ekonomik si dhe ideve të tyre për bashkëpunimin me komunitetin e biznesit.

30.09.2021 / Zgjedhjet

Kandidatët për kryetar të Suharekës përballë bizneseve
Foto: Ilustrim

Në takimin e organizuar nga Qendra e Biznesit në Suharekës, pjesëmarrës në diskutim ishin kandidatët për kryetar të komunës: Salih Zyba nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Ardian Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Murtez Zekolli nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Në takim ishte ftuar edhe kryetari aktual dhe kandidati i AAK-së, Bali Muharremaj, por sipas kryetarit të Shoqatës së Bizneseve, Gani Sallauka, nuk ka mundur të vijë edhe përkundër se e ka konfirmuar pjesëmarrjen.


Kandidati për kryetar të Suharekës nga radhët e LVV-së, Salih Zyba ka theksuar se forcimi i bashkëpunimit institucional me bizneset është ndër prioritetet e tij, pasiqë sipas tij deri tani qeverisja aktual në komunën tonë ka dështuar sa i përket këtij drejtimi.

“E konsideroj të rëndësishme këtë iniciativë, qytetarët presin ndryshim. Shumicën e rasteve bëhet fjalë për shumë parregullsi në këtë komunë. DO të ndërtojmë ura të bashkëpunimit me biznese. Ne do të jemi në dispozicion të bizneseve.

Bashkëpunimi i bizneseve me komunë kanë dështua. Pandemia ka qenë që e ka nxjerr në pah bashkëpunimi institucional dhe i bizneseve. Çdo projekt që është për zonën nëse nuk kalon nga debati publik nuk do të kalojë më tej. Nuk ka projekt që është ndërtua për zonën”.

Zyba ka shtuar se gratë ndërmarrëse do të subvencionohen, po ashtu do të përkrahen edhe bizneset e mërgatës që do të vijnë të investojnë në Kosovë.

Po ashtu, Salih Zyba është zotuar se do ta funksionalizoj transportin publik.

Ndërsa, gjatë këtij takimi ka folur edhe kandidati për kryetar të Suharekës nga radhët e LDK-së, Ardian Shala, i cili ka potencuar se gjenerimi i punësimit në komunën tonë është ndër prioritetet e tij.

“Suhareka ka potenciale të mëdha për të gjeneruar punësimin. Programin tonë  e kemi ndarë në shtatë shtylla: Arsim, shëndetësi, infrastrukturë, ekonomi, rini e kulture, bujqësi, turizëm. Ne mendojmë të fillojmë me dy mini zona, për t’iu dhënë mundësi bizneseve të reja  e të vogla. Këto zona do t’i ndajmë në  10-40 ari. Në Shirokë është një deponi për të cilën ka pasë ankesa nga qytetarët, ta shndërrojmë atë zonë në mundësi për biznesi”.

Duke i mbështetur idetë inovative, Shala ka thënë se do të fokusohet edhe në përmirësimin e mirëqenies të të rinjve.

“Ndër pak komuna që inkasojmë taksën komunale, kom mendua që ta zbresim në 0 taks”.

“Punësimi do të ndodh edhe në sektorin e bujqësisë, pasi do ta rrisim buxhetin e bujqësisë. Do të formojmë komisione që do t’i përcjellin subvencionet”.

Gjithashtu, në këtë takim të organizuar nga kjo qendër ka folur edhe kandidati për kryetar të komunës së Suharekës nga radhët e PDK-së, Murtez Zekolli ka theksuar se çështja e funksionimit të pushtetit lokal nuk është fontan dëshirash, dhe se zotimet duhet të jenë reale. Po ashtu, ai ka theksuar se Suhareka ka nevojë për rikthimin e funksionimit demokratik.

“Unë pashë një vendim që është marrë nga një ish kryetar për komunitet të biznesit dhe nuk është zbatuar i cili është i thirrur për t’i zbatuar. Unë si kandidat për kryetar komune gjatë qeverisjes për qytetar do të ofrojë siguri. Të metën më të madhe  kemi mos respektimin e ligjit. Suhareka ka nevojë për rikthimin e funksionimit demokratik. Zotohem për këto që i thashë. Aspekti ekonomik është çështje mjaft me rëndësi. Kam një plan program bukur të mirë për ekonomi dhe bujqësi”.

Tutje, ai tha se do t’i krijojë dy zona të reja industriale në Duhël dhe një mini zonë.

“Neve si komunë është marrë vendim për krijimin e një zone industriale. Zona ka qenë e papërshtatshme sepse kemi pasur hapësira të mjaftueshme ku kishim mundur të vendosnim zona industriale. Zona industriale ka qene e vogël nuk ka qene e mjaftueshme. Nëse do të jem kryetar i ardhshëm do t’i marr iniciativat për të krijuar edhe dy zona të reja në Duhël dhe një mini zonë në qytet të vogël. Zhvillimi ekonomik mund të rritet me zona industriale. Unë nuk jam për mi largu taksat komunale. Ne jemi për t’i largu lehtësirat e nevojshme”.

Po ashtu, ai u zotua se në bujqësi do t’i subvencionojë të gjitha veprimtaritë.

KOMENTE0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *