Zyrtare: Lovre Basic i bashkohet KB Golden Eagle Yllit për sezonin jubilar 2025/2026
Klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli ka zyrtarizuar përforcimin e parë për sezonin 2025/2026 – basketbollistin kroat Lovre Bašić.
Me këtë transferim, skuadra nga Suhareka synon që në vitin jubilar të 50-vjetorit të klubit, të rikthehet te sukseset dhe të synojë majat në basketbollin kosovar dhe më gjerë.
Lovre Bašić është një emër i njohur në basketbollin evropian, me përvojë të gjerë në disa prej ligave më konkurruese në rajon. I lindur më 10 janar 1995, ai luan në pozitën e organizatorit të lojës (playmaker), me një stil loje të kontrolluar, të mençur dhe me aftësi të larta asistimi.
Karriera e Bašić nisi te Zadar në Ligën Kroate, ku në sezonin 2015–16 u bë kapiteni i dytë më i ri në historinë e klubit – një vlerësim i madh për pjekurinë dhe talentin e tij të hershëm. Më pas, ai vazhdoi karrierën në disa ekipe evropiane si Vrijednosnice Osijek (Kroaci), Liège Basket (Belgjikë), HKK Posušje dhe Široki (Bosnje e Hercegovinë), Alkar (Kroaci), Nevėžis Kėdainiai (Lituani), si dhe Egis Körmend në Ligën Hungareze.
Në nivel përfaqësues, Bašić ka qenë pjesë e ekipeve të reja të Kroacisë. Ai ka fituar medaljen e artë me ekipin U-16 në Kampionatin Evropian të FIBA-s më 2011, ndërsa ka përfaqësuar Kroacinë edhe në Kampionatin Evropian U-20 më 2014, ku kombëtarja kroate përfundoi e katërta. Në vitin 2018, ai debutoi për ekipin kombëtar B të Kroacisë në Kupën Stanković.
Përvoja ndërkombëtare dhe lidershipi që Lovre Bašić sjell në parket pritet të jenë thelbësore për objektivat e KB Golden Eagle Yllit në sezonin e ardhshëm. Tifozët e klubit tashmë kanë arsye për entuziazëm, teksa skuadra fillon të ndërtojë një bërthamë të fuqishme për sezonin e artë të historisë së saj.