Llapi fiton bindshëm ndaj Fushë Kosovës, i ‘bëhet hije’ Ballkanit

22.02.2024

Llapi ka fituar me rezultat të thellë 3-0 në udhëtim te Fushë Kosova në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Llapi fiton bindshëm ndaj Fushë Kosovës, i ‘bëhet hije’ Ballkanit Foto: Ilustrim

Ekipi i Tahir Batatinës ka marrë edhe fitoren e tretë radhazi në kampionat, duke u afruar në vetëm një pikë me liderin e kampionatit, Ballkanin.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim absolut të llapjanëve, të cilët përveç rasteve arritën të shënojnë edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 23-të dhe ishte Hamdi Namani, i cili me kokë shënoi për 0-1.

Në fakt, Llapi shënoi edhe tre gola tjerë me anë të Muhamet Hysenit, por sulmuesi i ri ishte i pafat pasi të tri golat u anuluan për pozita jashtë loje pas rishikimit të VAR-it.

Në pjesën e dytë, “Legjendat” vazhduan me lojë më të mirë dhe shumë raste, duke shënuar edhe dy gola tjerë për të siguruar fitoren.

Fillimisht ishte Hyseni (57’), i cili shënoi për 0-2 dhe pastaj edhe Ilir Blakqori (68’) që shënoi për 0-3 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Llapi e sheh veten në pozitën e dytë me 43 pikë, ndërsa Fushë Kosova e nënta me 11 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, llapjanët e presin Prishtinën, ndërsa Fushë Kosova udhëton te Liria.