Kryeson listën e golashënuesve në Superligë sivjet, Zeka: Mund të bëjmë befasi, por s’ngutemi
Gjashtë xhiro kanë kaluar në edicionin e sivjetëm të Superligës së Kosovës.
Në krye të tabelës së elitës së futbollit kosovar qëndrojnë dy klube që shumëkush s’kishin pritur që do të jenë aty.
Suhareka e Malisheva kryesojnë tabelën me nga 13 pikë secila, derisa skuadra therandase ka edhe një ndeshje më pak (atë ndaj Dritës).
Pas gjashtë xhirove të zhvilluara, një lojtar i Suharekës kryeson në një listë tjetër, atë të golashënuesve.
Është sulmuesi i mirënjohur kosovar, Mevlan Zeka që ka po aq gola sa paraqitje në këtë fillimsezon.
30-vjeçari ka tundur pesë herë rrjetën e kundërshtarëve, teksa dy gola kanë ardhur nga penalltia.
Zeka në fundjavën që lamë pas ia dhuroi fitoren e katërt radhazi Suharekës me dygolëshin e tij të shënuar ndaj Feronikelit ’74.
Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Express”, top golashënuesi i Superligës pas gjashtë xhirove ka folur rreth pranimit të ofertës së Suharekës, sezonin e tij në Ligën e Parë, Shpëtim Duron e për shumëçka tjetër.
“Ka qenë e vështirë të marrë një vendim për t’u larguar nga Gjilani, sepse ishim në Ligën e Konferencës, ishte e befasishme oferta ndaj meje, por nuk i bie pishman, sepse historia e klubit nisi me ne”, tha Zeka kur foli për pranimin e ofertës nga Suhareka.
Zeka, si një nga sulmuesit më të shquar kosovar, sezonin e kaluar i ra të luante në Ligën e Parë, me një klub të sapoformuar, por që paraqitjet e jashtëzakonshme s’i munguan.
“Në Ligën e Parë isha golashënuesi më i mirë, i kam ndihmuar klubit për t’u ngjitur në Superligë. Fatmirësisht, shpëtova pa lëndime, derisa shpresoj që edhe këtë sezon në Superligë të jem mirë me gola dhe të bëjmë mirë gjithë ekipi”, tha Zeka.
Edicionin e kaluar, Mevlan Zeka e kishte një tjetër trajner në krye, teksa sivjet, Suhareka udhëhiqet nga Shpëtim Duro.
Zeka foli fjalët më të mira për të, duke thënë se do t’i kryejnë detyrat që ai ia cakton në përpikmëri.
“Shpëtim Duro është një trajner me eksperiencë të mdhe në futboll dhe është një trajner i suksesshëm. Ne do të mundohemi që sa më shumë të ia kryejmë detyrat, që të kemi suksese të gjithë së bashku”, shtoi sulmuesi.
Zeka s’e mohon që Suhareka mund të bëj befasi qysh në sezonin e parë në elitë, derisa thotë se konkurrenca është shumë e madhe për t’u shpallur kampion.
“Suhareka është skuadër në rritje, unë besoj te grupi jonë dhe se mund të bëjmë befasi qysh këtë edicion, por ende është herët për të folur për fundin”, tha Zeka.
“Superliga është e fortë, shumë skuadra të forta në garë për titull, mund të ketë befasi përgjatë kampionatit, por ne na motivon konkurrenca, sepse ka konkurrencë s’ka sukses”, shtoi Zeka, i motivuar.
Zeka në aspektin individual nuk pretendon shumë, vetëm se shpreh gatishmërinë e tij për ekipin.
“Objektivi im i vetëm është që të ndihmoj ekipin të ketë më shumë sukses, të kemi formë të mirë, dhe kjo në fund besoj se do të më shpërblej që të shpallem golashënuesi më i mirë i Superligës”, tha “9-shi” i Suharekës.
Për fund, Zeka ka një falënderim për të bërë, për arritjet e tij të fundit.
“Futbolli është një sfidë, duhet të kalosh në shumë pengesa për të arritur suksese. Për këtë e falënderoj Zotin dhe uroj që të këmi shëndet dhe mos të kemi dëmtime në vazhdim”, tha Zeka.
Mevlan Zeka është tri herë fitues i Superligës së Kosovës, një herë me Ballkanin dhe dy herë me Feronikelin.
Një herë e ka fituar Kupën e Kosovës më “Niklin”, teksa me po të njëjtën skuadër e ka fituar edhe Superkupën e Kosovës.