Dardanët në top-formë para ndeshjeve të Kosovës
Kombëtarja e Kosovës nis kampanjën në Ligën e Kombeve këtë të premte ndaj Rumanisë, teksa pas tre ditësh përballet ndaj Qipros.
Futbollistët dardan para këtyre ndeshjeve po kalojnë një formë fantastike me skuadrat e tyre përkatëse.
Kur përmendet forma e lartë e lojtarëve, padyshim emri i parë është Edon Zhegrova, shkruan “Gazeta Express”.
Fantazisti dardan e ka nisur sezonin në mënyrë të mrekullueshme duke shënuar katër gola në pesë ndeshje të luajtura.
Anësori kosovar, ishte vendimtar me realizimet e tij për t’i dhuruar Lillet, një vend për në Champions League për sezonin e ri.
Një tjetër futbollist që e ka nisur sezonin mbarë është edhe Vedat Muriqi.
‘Pirati’ ka realizuar një gol dhe një asistim në katër ndeshje në La Liga, në dy prej të cilave u shpall edhe njeriu i ndeshjes.
Vedati i shënoi gol ‘klubit mbretëror’ të Real Madridit.
Një sulmues tjetër që pritet t’i bëjë konkurrencë Muriqit tek kombëtarja është edhe Albion Rrahmani.
Ai u transferua këtë verë tek Sparta Prague, ku menjëherë la gjurmë tek skuadra çeke.
Në dy ndeshjet e tij të para realizoi dy gola dhe dhuroi një asistim.
Një gol e ka të shënuar edhe bashkëlojtari i tij tek Sparta, Ermal Krasniqi, i cili po ashtu ka dhuruar edhe një asistim në shtatë ndeshjet e tij të parë tek gjiganti çek.
Ardhjet e reja të Kosovës, Elvis Rexhbeçaj, Fisnik Asllani dhe Eliot Bujupi janë tre futbollistë të tjerë që kanë shpërthyer këtë sezon.
Rexhbeçaj, në tri ndeshjet e para ka realizuar dy gola me skuadrën e tij Augsburgun.
Vendimtar me skuadrën e tij këtë fillim sezon është treguar edhe Fisnik Asllani i cili në pesë ndeshjet e para ka realizuar katër gola dhe ka dhuruar dy asistime për skuadrën e tij Elvensberg.
Kurse, Eliot Bujupi i cili është një futbollist premtues për të ardhmen ka shënuar plot 9 gola në 6 ndeshje në të gjitha kompeticionet për grupmoshat u-19 të Stuttgartit.
Forma momentale e gjithë këtyre yjeve dardan, jep shpresë të madhe edhe përzgjedhësit Foda, për rezultate pozitive ndaj Rumanisë e Qipros në dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve.